Ndotja në mjedis ka qenë tema e zgjedhur nga Gazetari Denis Dyrnjaja në “Top Talk”, ku i ftuar ishte Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi problematikat e ambientit.

“Top Talk” ka nisur me një kronikë të transmetuar në Top Channel dy ditë më parë, ku denoncohet ndotja masive e mjedisit nga gropat e gëlqeres në Fushë Krujë, ku mjegulla toksike mbulon tërësisht zonën.

  Tymi toksik s’ka të ndalur, në Fushë Krujë furrat vijojnë të djegin goma

Për ministrin Klosi, lufta ndaj këtij fenomeni nuk ka të ndalur, por duket se e kanë të vështirë që ta zhdukin atë duke qenë se kostoja për hapjen e një grope gëlqereje është minimale.

“Në një aksion të para disa muajve kemi mbyllur 33 gropa gëlqeresh. Para pak ditësh policia arrestoi 9 persona. Është një tmerr, djegin goma, materiale toksike. Kemi kërkuar bashkëpunim me banorët, sepse nuk është një investim i madh për të bërë një gropë gelqereje, tymi që çlirojnë ato është me pasoja për zonën e Tiranës, por shumë e dëmshme për Krujën dhe Fushë-Krujën”, u shpreh Klosi, teksa bëri thirrje që banorët e zonës duhet t’i drejtohen shtetit për çdo rast, e media duhet të jetë më aktive për të fituar këtë luftë.

Si një masë për të ndaluar këtë fenomen, por edhe mos shkatërrimin e zonës malore, Klosi vlerësoi edhe vendimin për ta shpallur zonë të mbrojtur malin në Fushë Krujë.

“Janë 13 gurore që funksionojnë në atë zonë, 4 i kemi mbyllur. 6 prej tyre që kanë leje, po negociojmë për t’i mbyllur”, tha Klosi, teksa bëri edhe një krahasim me Malin e Tomorrit, “Në malin e Tomorrit u mbyllën 13 gurore, 2 prej tyre fituan çështjen në Gjykatë, edhe ato të mbyllen. Por tashmë kemi një vendim që Mali i Tomorrit është zonë e mbrojtur, por edhe zona e Malit të Krujës është shpallur zonë e mbrojtur. Po punoj që edhe kur të mos jem unë ministër kjo të mos zhbëhet.

Top Channel