Një dit pas denoncimit në prestigjiozen britanike “Daily Mail”, autoritetet ndërhynë në një kopsht zoologjik privat në hyrje të qytetit të Fierit.

Nga kontrolli në këtë subjekt, inspektorët e mjedisit thanë se kontaktuan një sërë parregullsish dhe sipas tyre me shumë gjasa kafshët e egra do zhvendosen diku tjetër.

“Bëhet pezullim i menjëhershëm i aktivitetit, ka mangësi në dokumentacion duke nisur nga procedurat e çdoganimit si dhe kemi kërkuar një raport nga institucionet e specializuara për gjendjen shëndetësore të kafshëve. Mund të bëhet sekuestrimi i tyre dhe zhvendosja e tyre diku tjetër duke parë mundësitë e dikasterit tonë”, shprehet Bibe Dodaj, Inspektor ISHMPUT.

Por pronari i këtij kopshti zoologjik, i kontaktuar nga Top Channel, tha se kafshët e egra trajtohen sipas standardeve dhe se artikulli i medias britanike është abuziv. Sipas tij kafshët janë kontrolluar në muajin korrik nga veterinerë të huaj. Ky fakt pranohet edhe nga vetë autoritetet lokale.

“Ky aktivitet ka qenë në monitorim nga ana jonë dhe 2 muaj më parë të gjitha kafshët janë kontrolluar dhe vaksinuar nga veterinerë të huaj”, thotë Ardian Koci, Drejtor AKZM, Fier.

Sipas burimeve nga Ministria e Mjedisit, pas përfundimit të verifikimeve dhe procedurave, kafshët mund të zhvendosen në kopshtin zoologjik të Tiranës, ndërsa një opsion tjetër është të transportohen jashtë vendit drejt qendrave të specializuara për këto kafshë të egra, që nuk janë të rajonit tonë.

Top Channel