Dëmshpërblimi i skuadrave, për futbollistët e dëmtuar në ndeshjet e kombëtareve, ishte nga ato pak gjëra të mira që bëri një president kontrovers si Joseph Blatter, që drejtoi FIFA-n për shumë vite mes skandaleve dhe aferave të dyshimta.

Programi i mbrojtjes është rikthyer këtë javë në plan të parë, sidomos për klubet europiane, pas ndërprerjes kampionateve, me ndeshjet e përfaqësueseve që lanë pashmangshmërisht gjurmë edhe në formën fizike të shumë lojtarëve.

Premier League është një nga kampionatet më të goditura, me Liverpoolin në fokus, që do të duhet të rikuperojë 4 futbollistë titullarë: Van Dijk, Salah, Mane dhe Keita. Rikthimi nga impenjimi me kombëtaret nuk ka qenë aq i mirë edhe për lojtarët e Arsenalit, pasi Welbeck dhe Sokratis vuajtën probleme fizike dhe nuk do të luajnë ndaj Leicester Cityt të hënën në mbrëmje.

Në kampionatin italian, Inter dhe Milan përgatiten për derbin e së dielës, por zikaltrit nuk do të kenë në fushë lojtarin e tyre fatsjellës, Vecino, ndërsa Juventusi po pret vendimin e stafit mjekësor për argjentinasin Dybala. Barcelona dhe Bayern Munchen, respektivisht në Spanjë dhe në Gjermani, janë në emergjencë në mesfushë.

Por, të gjitha këto skuadra po përpilojnë tashmë faturën që do të dërgojnë në zyrat e FIFA-s. Dëmshpërblimi jepet në formë optimale, kur ndalesa i kalon 28 ditët. Çdo ekip nuk mund të marrë më shumë se 7.5 milionë euro dhe përllogariten ditët e mungesës me pagën e lojtarit.

Top Channel