Në furrat artizanale të prodhimit të gëlqeres në Fushë Krujë dhe Krujë vijon djegia e materialeve plastike dhe gomave te automjeteve. Autoritetet thanë se i mbyllën furrat ndotëse, por banorët e zonës tregojnë të kundërtën. Qielli mbi shtëpitë e tyre mbushet me tym toksik gjatë natës deri në mëngjes.

Furrat e gëlqeres që djegin goma dhe mbetje plastike u tha se u mbyllën. Por pamja e mëngjesit të kësaj të marte në fshatin Halil të Fushë-Krujës, tregon krejtësisht të kundërtën.

Prodhimi i gëlqeres duke djegur goma automjetesh vazhdon. Për banorët e kësaj zone mëngjesi dhe mbrëmja janë të padallueshme pasi tymi është aq i dendur sa shtëpitë përreth fshatit nuk mund të shihen me sy të lirë.

“Se nga vjen tymi nuk dimë gjë. Është shumë i keq, saqë njerëzit vendosin dorën në hundë. Ka edhe në mbrëmje edhe në mëngjes dhe është shumë i rëndë. Nuk e di kush i djeg. Kam burrin me frymëmarrje. Kam çuar analizat e gjakut në Tiranë, dalin keq”, shprehet një banore e zonës.

Banorët e kësaj zone ndjehen si ne rrethim nga tymrat toksike

“Ka shumë tym, nga perëndimi nga fabrika e zifrit, nga jugu dhe veriu nga gëlqerja”, tregon një prej tyre.

Banorë të tjerë jashtë kamerave pohojnë se ajri i ndotur ka ndikuar edhe tek fëmijët. Shpesh banorët e fshatit Halil u drejtohen spitalit pasi rrugët e tyre të frymëmarrjes janë thuajse të bllokuara, retë e tymit shpesh qëndrojnë edhe tre ditë pa pushim mbi çatitë e tyre.

Tymi i Fushë-Krujës nuk është problem vetëm për ata që banojnë pranë kësaj zone. Era të gjithë këtë sasi tymi toksik e sjell mbi Tiranën me një milionë banorë.

Top Channel