Pijedashësit, të cilët mendojnë se vera e nxehtë mund t’u ofrojë atyre një justifikim të fortë për një kriko birrë më shumë, mund ta gjejnë veten para një surprize aspak të këndshme.

Ndryshimet klimatike kërcënojnë të bëjnë që çmimi i birrës të rritet në shkallë globale, bashkë me temperaturat, pasi thatësirat dhe i nxehti ekstrem kanë bërë që të reduktohen shumë fushat e mbjella me elb. Këtë e konfirmon një raport i fundit shkencor.

Raporti thotë se efekti mund të ndihet shpejt në disa nga vendet europiane që e duan më shumë birrën, si Irlanda, Belgjika, Polonia dhe Republika Çeke.

Autorët e raportit nënvizojnë se efektet e ndryshimeve klimatike tek alkooli është më i zbehtë, në krahasim me pasojat që kërcënojnë edhe vet jetën, në disa pjesë të botës që janë përballur me stuhi, thatësira dhe mungesa uji e ushqimesh.

Por, ata argumentojnë se pasojat në jetët e përditshme në vendet e zhvilluara mund të çojnë në reagim. Elbi është një nga përbërësit kryesorë që përdoret për prodhimin e birrës dhe rreth një e gjashta e të korrave globale shkojnë për birrën.

Studimi i kryer nga shkencëtarë kinezë, amerikanë dhe britanikë, dhe i publikuar në revistën “Nature Plants” parashikon se, në varësi të kushteve, prodhimi i elbit do të bjerë me 3 deri në 17 për qind. E nëse do të jetësohej skenari më i errët, çmimet e birrës do të dyfishoheshin dhe konsumi global do të binte me 16 për qind.

Top Channel