Zvarritja e çështjes së marrëveshjes së emrit në Maqedoni duket se mund të ketë pasoja që i kapërcejnë kufijtë e vendit.

Kreu i partisë së djathtë të grekëve të pavarur, Panos Kammenos kërcënon tani me tërheqje nga koalicioni qeverisës nëse ujdia del përpara parlamentit. Kryeministri majtist, Alexis Tsipras dhe Kammenos i bashkuan forcat në 2015-tën me qëllim nxjerrjen e Greqisë asokohe nga kriza e thellë e borxhit.

Por marrëveshja që Tsiprasi arriti me Maqedoninë e ka lëkundur koalicionin dhe tani Kamenos, ministër i Mbrojtjes, deklaron se nuk do të votojë për të nëse shkon në parlament. Nëse shumica parlamentare vendos për divorc, divorci do të ndodhë, citohet të ketë thënë ai.

Nacionalistët grekë e kundërshtojnë kategorikisht paktin me pretendimin se emërtimi “Maqedoni” është historikisht grek dhe pjesë e trashëgimisë greke. Qëkur Maqedonia shpalli pavarësinë në 1991-shin, Athina nuk ka reshtur së insistuari se ky emër nënkupton se fqinji ka pretendime territoriale ndaj rajonit grek me të njëjtin emër dhe, ka bllokuar rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Në Shkup ndërkohë, debati në Parlament mbi ndryshimet kushtetuese vazhdon sot. Qeverisë së Zoran Zaevit i nevojiten 2/3 e votave të ligjvënësve që nisma të marrë dritën jeshile, por ekzekutivi këto vota nuk i ka.

Top Channel