“Evito aktivitetin politik ‘online’ dhe ushqe macen, përndryshe do të humbasësh azilin diplomatik”. Ky është kërcënimi i hapur dhe i qartë, që Ambasada e Ekuadorit i ka bërë Julian Assange.

Ekuadori ka vendosur një seri rregullash shtëpie për Assange, e ndër të tjera e ka urdhëruar edhe të pastrojë tualetin e tij dhe të kujdeset më mirë për macen që mban.

Assange jeton në Ambasadën e Ekuadorit, në Britani, që nga qershori i vitit 2012, e duhet të marrë miratim nga stafi diplomatik për të gjithë vizitorët, 3 ditë më herët. Ndërkohë, atij i ndalohen aktivitetet politike apo ndërhyrja në çështjet e brendshme të shteteve të tjera.

Qeveria e Ekuadorit ka hequr pjesërisht kufizimet e internetit për Assange, por dokumenti më i fundit qartëson se themeluesi i “Wikileaks” do të lejohet të përdorë “Wi-Fi” e ambasadës vetëm për kompjuterin e tij personal dhe telefonin.

Australianit dhe të ftuarve të tij u ndalohet të përdorin apo instalojnë pajisje të paautorizuara. Por, më pikantja mes rregullave të reja është kujdesi për mirëqenien, ushqimin dhe higjienën e maces së tij.

Ai paralajmërohet se, nëse nuk do të kujdeset për macen, kjo e fundit do t’i jepet dikujt tjetër, apo do të dërgohet në një qendër për kafshët e braktisura. Në “memo”, Assange i kërkohet të mbajë pastër tualetin dhe nënvizohet se, misioni diplomatik nuk do të paguajë më për ushqimin e tij, larjen e rrobave apo kosto të tjera të lidhura me qëndrimin e tij, duke filluar nga 1 dhjetori i vitit 2018.

Mosrespektimi i këtyre rregullave do të çonte në fundin e azilit diplomatik që i është dhënë atij nga shteti i Ekuadorit.

Top Channel