Autoriteti i Aviacionit Civil përzgjodhi kompaninë audituese BDO Albania për të bërë vlerësimin e pavarur ekonomik të koncesionit në aeroportin e Rinasit.

“Do të jetë një vlerësim 40 ditë dhe ne presim rezultate pozitive”, sqaron Krislen keri, drejtor i Aviacionit Civil.

Në kontratën koncesionare të Rinasit ka një hapësirë, e cila u jep të drejtë palëve, si qeverisë ashtu dhe kompanisë, që të kërkojnë balancim në rast se treguesit financiar të koncesionit kanë devijime nga ato të parashikuara në studimin e fizibilitetit. Kjo ishte pika që shfrytëzoi qeveria për të kërkuar auditimin e koncesionit.

“Do bëhet krahasimi i rezultateve financiare të aeroportit me skenarin bazë, pra studimin e fizibilitetit me të cilin është marrë koncesioni në vitin 2004”, shprehet Krislen keri.

Treguesit financiarë nuk janë të vetmit që do të vlerësohen. Veç tyre kompania audituese do të krahasojë edhe nivelin e tarifave me aeroportet e tjera të rajonit si dhe përmbushjen e detyrimeve të të dy palëve, pra si qeverisë ashtu dhe koncesionarit.

“Në fund do të ketë një projekt-raport që do u dërgohet dy ministrave përkatës për të marrë vendimin e vendosjes ose rivendosjes së një balance në rast se do të ketë disbalancë”, shtoi Krislen Keri.

Në rast se vlerësimi i pavarur do të gjejë devijime të treguesve ekonomikë, secilës nga palët I lind e drejta të kërkojë masa balancuese, ku përfshihen ndryshimi I kohëzgjatjes së koncesionit, rishikimi I tarifave të aeroportit ose kompensim me para në dorë.

Top Channel