Banorët që jetojnë pranë vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano kanë mundësinë ta çojnë në gjyq kërkesën e tyre për mbylljen e fushës së plehrave. Shpallja e emergjencës mjedisore nuk e ndryshoi situatën.

Vendgrumbullimi mbetet i parrethuar dhe retë e tymit qëndrojnë mbi Durrës së herë fryn erë. Ankesat e tyre po i shqyrton klinika e ligjit, e cila funksionon pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Politike në Universitetin e Durrësit.

“Situata e mbetjeve urbane në Porto Romano është një nga situatat më problematike që na është referuar nga banorët e qytetit në klinikën e ligjit. Duke qenë se çështjet mjedisore të konsumatorit ne i kemi prioritet dhe kemi nisur ta ndjekim si çështje. Është një praktikë që sapo ka filluar. Jemi duke grumbulluar dokumentacion dhe po shohim mundësinë për të ndjekur rrugën ligjore. Sigurisht që do të ndjekim në fillim rrugën administrative”, u shpreh Dorina Asllani, Klinika e ligjit në UAMD.

Fillimisht në emër të banorëve të qytetit, klinika e ligjit do t’i kërkojë institucioneve të ndërmarrin masa konkrete për zbutjen e pasojave të rënda të depozitimit dhe djegies së mbetjeve urbane në Durrës.

“Nëse kjo nuk ndodh (marrja e masave konkrete), do të mendojmë për rrugën dhe mënyrën e duhur për të ngritur një padi në gjykatë për këtë çështje”, tha Dorina Asllani, Klinika e ligjit në UAMD

Mbetjet vazhdojnë të derdhen e digjen në terren të hapurduke zgjeruar dhe më tej zonën e depozitimit pranë shtëpive e kampusit universitar. Mosveprimi i institucioneve përgjegjëse për mbylljen e këtij vendgrumbullimi po e çon çështjen drejt dyerve të gjykatë. Pas Bashkisë së Fierit për plehrat e Sheqit, ajo e Durrësit do të ishte bashkia e dytë në vend e paditur nga banorët për një çështje të mprehtë mjedisore dhe me ndikim tejet negativ në shëndetin e qytetarëve dhe të gjithë ekosistemin e zhvillimin e qytetit.

Top Channel