AKEP ka publikuar një listë me 44 portale, të cilave u ka lënë 72 orë afat që të regjistrohen në QKB, pas paralajmërimit të kryeministri Rama më 10 tetor.

Pas paralajmërimit të paketës anti shpifje nga kryeministri, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP është vënë në lëvizje për të kontrolluar tregun e mediave online.

Janë 44 portale një pjesë e tyre adresa të njohura onilne, të cilave AKEP i ka vënë ultimatum 72 orë për publikimin e niptit dhe adresën në seksionin e kontaktit, në faqen që kanë në përdorim. Nëse nuk janë të regjistruar atëherë këto portale duhet të pajisen me nipt në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe po brenda 72 orësh të deklarojnë niptin në faqet e tyre online.

Në listën e AKEP kanë përfunduar faqe interneti të njohura dhe me shumë klikime, që drejtohen po ashtu nga gazetarë apo personazhe të njohur publikë. Lista hapet me 24 Orë apo 360 Grade, por edhe portale që kanë publikuar skandale, siç është rasti i Exit.al që publikoi audio-përgjimin mes Denar Bibës dhe gjyqtarit Ledi Bianku.

Por, edhe Java News, Opinion, Opozita dhe Politiko që përfaqësohet nga analisti Alfred Lela,  por edhe Skandal si dhe TPZ e Zjarr TV.

Në listë pa nipt është edhe portali i “BIRN”, rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit, Reporter.al, ku janë publikuar mjaft skandale, ka përfunduar në listën e autoritetit të komunikimeve elektronike dhe postare.

Përfaqësuesit e faqes Insajderi të listuar nga AKEP, reaguan duke thënë se ata i paguajnë taksat në vendin e tyre, në Kosovë.

Te kontaktuar nga Top Channel zyrtarë të AKEP thanë se regjistrimi dhe deklarimi i niptit është një detyrim ligjor, pasi këto portale zhvillojnë aktivitet ekonomik, kjo lidhet kryesisht me reklamat e publikuara dhe njerëzit që punojnë si dhe me përgjegjësinë ligjore. AKEP nuk ka një numër të saktë të portaleve që janë në Shqipëri, por pranon se numri është mjaft i madh.

 

 

  Paketa anti-shpifje, Rama: Nis nga legalizimi i portaleve

Top Channel