Për të marrë fitoren e parë në transfertë në një ndeshje zyrtare Kosova duhet të presë ende. As perla e Milot Rashicës nuk ishte e mjaftueshme që skuadra e Bernard Challandes të fitonte në Torshavn përballë Ishujve Faroe.

Përfundoi gjithçka në barazim 1-1 me Kosovën që gjithsesi mori një pikë të artë që e mban në krye të grupit 3 të Ligës D në kuotën e 8 pikëve, 2 më shumë se Azerbajxhani që nuk përfitoi nga hapi fals i dardanëve pasi azerët ngecën në shtëpi në një barazim 1-1 ndaj Maltës. Kosova vinte me disa ndryshime në formacion për shkak të mungesave për arsye dëmtimi dhe pezullimi.

Sfida nisi në mënyrën më të mirë për Kosovën që zhbllokoi rezultatin me një gol fantastik me një goditje spektakolare nga distanca të Milot Rashicës i pari për të me dardanët pas vetëm 9 minutash lojë. Megjithatë në fillimin e pjesës së dytë Joensen barazoi rezultatin për t’i dhënë një pikë skuadrës vendase. Me kalimin e minutave Ishujt Faroe e rritën presionin por Ujkani u shfaq në lartësinë e duhur.

Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më me Kosovën që mori një barazim të rëndësishëm në garën për të fituar grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Top Channel