Barcelona i ka marrë mirë masat për të mos përjetuar më një tjetër çështje “Neymar”. Në verën e vitit 2017, sulmuesi brazilian u largua në drejtim të Paris SG, pasi klubi francez pagoi klauzolën e kontratës së tij me vlerën e 222 milionë eurove, duke ndezur sinjalet e alarmit te kampionët e Spanjës.

Pas kësaj, drejtuesit e Barcelonës u vunë menjëherë në lëvizje për të blinduar yjet e skuadrës, duke rritur ndjeshëm klauzolat e kontratave të tyre, e duke nisur nga Lionel Messi. Argjentinasi rinovoi vitin e kaluar me Barcelonën deri në vitin 2021, e klauzola e zgjidhjes së kontratës së re u rrit nga 250 milionë në 700 milionë euro.

Më tej i erdhi radha futbollistëve të tjerë. Ter Stegen pati një rritje të klauzolës nga 80 në 180 milionë euro, Sergi Roberto nga 40 në 500 milionë, Gerard Pique nga 200 në 500 milionë euro, Samuel Umtiti nga 60 në 500 milionë, e në fund Sergio Busquets, klauzola e kontratës të të cilit shkoi në 500 milionë euro, nga 200 milionë që ishte.

Këto janë shifra marramendëse, që nëse mblidhen, kapin vlerën totale prej 6 miliardë eurosh, një lëvizje kjo që i frenon klubet që do të kërkojnë të bëjnë “pazar” te Barcelona.

Ata që mungojnë në këtë listë janë Jordi Alba dhe Ivan Rakitiç. Kontratat e tyre skadojnë në vitin 2020, e klubi katalanas po punon për zgjatjen e tyre, me idenë për të rritur klauzolat edhe për këta dy lojtarë, që aktualisht janë në kuotat respektive të 150 dhe 125 milionë eurove.

Top Channel