E diela e “Portokallisë”. Spektakli i humorit është rikthyer në sezonin e ri në ekranin e TCH

14/10/2018 12:36

“Portokalli” është rikthyer çdo të dielë në ekranet tuaja në Top Channel. Një sezon i ri, me një ndërthyrje të personazheve të kaluar, me role të reja, duke iu mbajtur të mbërthyer pas spektaklit të madh të humorit.

“Le të themi është pak hajdut që gjen sende në rrugë, sepse hajdutët janë të formave të ndryshme, janë me grada edhe këta. Ky është nga këta të rëndomtit fare, që i gjen aty dhe i shet afër, për t’i luajtur bixhoz ato”, thotë Rezart Veleshnja.

“Roli im i ri është roli i një personi, i cili është i axhituar me të gjithë situatën social-politike që po kalon vendi ynë, prej shumë vitesh tashmë. E kemi quajtur Sharësi, sepse nga fillimi në fund e ka me gjithë botën, duke filluar me qeverinë, e në fund me ndonjë që ndoshta si ka faj. I ka aq të drejtpërdrejta gjërat sa që të gjithë njerëzit e gjejnë veten brenda sharjeve që bën ky”, tregon Marin Orhanasi.

“Rolin e ri në Portokalli? Unë vdes dhe nuk e tregoj (qesh). Roli i ri është një personazh që vjen sigurisht nga folku, nga njerëzit e përditshëm. Është një personazh pozitiv, që e përcjell pozitivitetin e tij nëpërmjet këngës”, tha Gazmend Paja.

Me shtimin e personazheve të rinj, nuk do t’i harrojnë të vjetrit?

“Shiko mjeshtrat e mëdhenj e kanë thënë, rolet janë si fëmijët, nuk i ndan dot”, tha më tej Gaz Paja.

Por ky sezon sjell edhe fytyra të reja të humorit.

“Kam rolin e parodistit, e cila është humor i ndërthurur me muzikën, dhe nëpërmjet kësaj do trajtojmë çdo problematikë, duke u munduar të vijmë në çdo familje”, thotë Klisi.

Për vite me radhë, “Portokalli” është bërë pjesë e familjeve shqiptare…”dhe vetëm në Top Channel, që është edhe televizioni më i mirë kombëtar”, siç shprehet Rezi.

Top Channel