Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salinaji, ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me hetimet për dosjen e pagëzuar si “Babalja”.

Pa lënë mënjanë avokatin, deputeti Ervin Salianji, në orën 9:30 konfirmoi ftesën e prokurorisë, e cila e kishte njoftuar edhe publikisht se do ta pyeste në një pozitë të ndryshuar, nga person me dijeni për rrethanat në person nën hetim.

Dosja “Babalja”, e pagëzuar e tillë sipas nofkës së Albert Veliut, i ka kushtuar deri më tani deputetit Salianji tre vizita në organin e akuzës, por edhe ka hedhur dyshime mbi të se ai ka kryer kallëzim të rremë, njëjtë sikurse Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe Jetmir Olldashi.

I pyetur mbi 2 orë jo vetëm për Babalen, por edhe për videon e dytë me protagonist Fredi Alizotin, qëndrimi i gjatë para prokurorëve e shtyu deputetin t’i ironizojë ata për mosmbajtje të sekretit hetimor.

“Prokuroria më ka thirrur si person nën hetim. Jam nën hetim për shkak se kallëzuesi viktimë, Agron Xhafaj, në burg sot për trafik droge, më ka kallëzuar mua dhe gazetarin investigativ”, tha Salianji.

Për audio-përgjimin “Babalja”, Salianji ka përsëritur se nuk ishte ai ndërmjetësi i takimit Olldashi-Albert Veliu. Ndërsa për videon e dytë me aktorin e këtij përgjimi, Fredi Alizotin, deputeti shpjegoi se ia kishte dhënë shtetasi Florenc Hoxha.

Por, kë beson deputeti demokrat në kushtet kur Fredi Alizoti u tha prokurorëve se kishte imituar Agron Xhafën, pasi “Babalja” i kishte premtuar para’ dhe kur në një video të dytë pohon një version tjetër?

“Unë besoj tek Zoti, Edi Rama beson tek Alizoti”, u përgjigj Salianji.

Prokuroria e Krimeve të Rënda është kthyer shpesh në pozitat e ballafaqueses në kazuse të përafërta, një version ky që do të përdoret edhe për Albert Veliun sapo ai të sillet në Shqipëri. Por, deri atëherë pritet që të tjerë të pyeten, mes tyre edhe Florenc Hoxha.

Top Channel