Republika e Kosovës ka bërë një hap tjetër të rëndësishëm brenda Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, me kalimin e statusit të saj nga vëzhgues, në anëtar të asociuar. Ndryshimi i statusit të Kosovës u miratua nga krerët e shteteve dhe shefat e qeverive të vendeve anëtare në Samitin e nivelit më të lartë të zhvilluar në kryeqytetin armen, Jerevan.

Lajmi është përshëndetur edhe kryeministri Edi Rama, përmes rrjeteve sociale.

“Kosova kalon sprovën e miratimit dhe kthehet nga vëzhgues, në anëtar i asociuar i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Urime Kosovës dhe të gjithë atyre që punuan për këtë votim me rëndësi për ecurinë e shtetit tonë të dytë”, shkruan Rama në “Twitter”.

Kërkesë për avancimin e statusit të Kosovës kishte bërë edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, nëpërmjet fjalimit të tij që iu adresua ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare në konferencën që i parapriu Samitit të shefave të shteteve.

“Kosova ka kërkuar ndërrimin e statusit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë – kërkesë që përkon me vullnetin politik, e sidomos vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për të nxitur edhe më shumë nismat frankofone në vend. Ju falënderoj për mbështetjen që i këni dhënë kërkesës tonë për ndërrim të statusit në ONF, me shpresën që kjo frymë mikpritëse dhe bashkëpunuese do të na ndjekë edhe gjatë shqyrtimit të kërkesës sonë për ndërrim të statusit në Samitin e kryetarëve të Qeverive”, kishte thënë Pacolli.

Në Samitin e Frankofonisë marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, të shoqëruar nga delegacionet e tyre. Kosova ishte pranuar si anëtar vëzhgues në ONF në vitin 2014, në Samitin e Frankofonisë në Dakar, ndërsa që nga ajo kohë janë bërë arritje të rëndësishme.

Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë është themeluar në vitin 1970, ndërsa ajo përbëhet prej 84 shteteve dhe Qeverive, nga të cilat 58 shtete anëtare dhe 26 me status vëzhgues, të cilat bashkë paraqesin një të tretën e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, me një popullsi prej 900 milionë njerëzish, duke përfshirë 274 milionë frëngjishtfolës.

Top Channel