Shtetet e Bashkuara ngritën akuza ndaj një spiuni kinez që u përpoq të vidhte sekrete tregtare nga disa prej kompanive kryesore amerikane të aviacionit dhe hapësirës.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi se Yanjun Xu, oficer i shërbimit kinez të zbulimit, u arrestua në muajin prill në Belgjikë dhe më pas u ekstradua drejt Shteteve të Bashkuara ku këtë të mërkurë u zhvillua seanca e parë gjyqësore.

Prokurori për distriktin jugor të shtetit Ohio shpjegoi se si zoti Xu dhe oficerë të tjerë zbulimi zbatuan skemën e tyre.

“Së bashku me zyrtarë të tjerë të Ministrisë kineze për Sigurimin e Shtetit ata fshehën identitetet e tyre dhe natyrën e vërtetë të punës së tyre. Punuan për të rekrutuar individë në kompanitë e aviacionit në mbarë SHBA-në dhe Evropën, të cilët ata menduan se do t’u ofronin sekrete tregtare”, – tha Prokurori i Ohios, Benjamin Glassman.

Ekspertët besojnë se kjo është hera e parë që një spiun i qeverisë kineze sillet në Shtetet e Bashkuara për t’u gjykuar.

Top Channel