Një bullgar është arrestuar në Gjermani, nën dyshimin për përdhunimin dhe vrasjen e gazetares televizive Viktoria Marinova. Lajmi është konfirmuar nga kryeprokurori bullgar.

Autoritetet në Bullgari thanë se, një urdhërarresti ishte lëshuar për 21-vjeçarin që do të akuzohet në mungesë për përdhunim dhe vrasje.

Trupi i 30-vjeçares Marinova, që raportonte mbi një hetim për një rast të dyshuar korrupsioni ku përfshiheshin fondet e BE-së, u gjet në qytetin kufitar Ruse, në Danub, gjatë fundjavës.

Ajo u zhduk pasi kishte dalë për të vrapuar përgjatë lumit, të shtunën. Prokurori i Përgjithshëm bullgar, Sotir Tsatsarov konfirmoi arrestimin e një personi, zyra e të cilit e ka identifikuar si Severin Krasimirov, një qytetar bullgar.

Ministri i Brendshëm, Mladen Marinov tha se kishte prova fizike që e lidhnin Krasimirovin me vrasjen. Ky i fundit, banues në Ruse, ka pasur precedentë penalë për vjedhje metali e skrapi. Ministri tha se hetuesit kanë biseduar me familjen e gazetares dhe ka shtuar se, duket se rasti nuk ka lidhje me punën e saj.

Marinova është gazetarja e tretë që vritet në një vend të BE-së brenda një viti. Vdekja e saj rindezi debatet për rreziqet e raportimit, por edhe për kërcënimet e veçanta me të cilat përballen gazetaret femra. Autoritetet thanë se po hetojnë të gjitha pistat, por edhe po tregohen të kujdesshëm për lidhjen e vrasjes së Marinovës me gazetarinë.

Të martën pasdite, policia bullgare njoftoi se një shtetas rumun ishte arrestuar, por më pas tha se nuk kishte lidhje me rastin dhe se do të lihej i lirë. Më pas, mediet bullgare shkruan se një person ishte arrestuar në Gjermani.

Bullgaria renditet e 111-a në mesin e 180 vendeve në Indeksin për Lirinë e Shtypit të “Reporterëve pa kufij”, në një vend më të ulët se të gjitha shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor po ashtu.

Top Channel