Spiropali, në “Top Talk”: Opozita, e ndikuar nga telenovelat orientale. Po baltosin Shqipërinë

10/10/2018 16:00

Politika shqiptare është futur në një spirale konspiracioni përgjimesh, me denoncime e përgënjeshtrime. Drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, që nga kreu i Ministrisë së Brendshme apo drejtues të lartë të politikës, sikurse kreu i grupit parlamentar socialist, po akuzohen në mënyrë periodike nga opozita si të përfshirë në skenarë të dyshimtë.

Pa u shuar mirë jehona e ngjarjes së Fushë Krujës, me protagonist djalin e një deputeti socialist që dyshohet për dhunimin e së dashurës së tij, u rishfaq në skenë çështja “Babale”. Përmes një videoje të re, demokratët pretendojnë se njëri nga protagonistët e përgjimit të parë, Alfred Alizoti është intimiduar dhe është tentuar të joshet pikërisht nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Çështja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por akuzat politike ndaj drejtuesve të mazhorancës janë rindezur. Pikërisht për këto, e ftuar në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ka qenë deputetja e Partisë Socialiste, njëkohësisht nënkryetare e grupit parlamentar, Elisa Spiropali.

“Edhe në ëndrrat tona më të shfrenuara nuk do të kishim imagjinuar që opozita shqiptare të jetë kaq e ndikuar nga telenovelat orientale. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, të paktën vendet mes të cilave ne aspirojmë të jemi, apo që duam t’u ngjajmë, që një parti opozitare që synon pushtet, me dëshirën e saj apo naivitet ekstrem të zhytet në banalitet dhe kriminalitet të tillë. Nuk ishte parë dhe dëgjuar, që të merret me elementë të botës së krimit, që jo vetëm i përdor, por që i drejton dhe i inskenon drejt serive të pafundme të telenovelës Babale”, deklaroi Spiropali.

Edhe pse përmes kësaj deklarate, duket sikur qeveria e ka të provuar pavërtetësinë e asaj që u publikua një ditë më parë, në fakt do të ishte një pozicion shumë i vështirë për qeverinë nëse do të rezultojë e kundërta.

“Ne as nuk provojmë dhe as nuk hetojmë. Këtë punë ia lemë Prokurorisë, e cila gjendet nën një sulm të paprecedentë nga një parti politike e madhe që synon pushtet, me një fjalor sulmi edhe ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, teksa po del se PD apo disa eksponentë të saj besojnë babalet dhe jo institucionet e shtetit”, sqaroi më tej Elisa Spiropali.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha foli këtë të mërkurë për një skenar të lidhur midis kryeministrit, ministrit të Brendshëm, kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, kreut të grupit parlamentar Taulant Balla, i cili është i akuzuari kryesor në shumë çështje. Si ka mundësi që zoti Balla del në disa çështje njëherësh?

“E para, zoti Basha do të bënte mirë të paraqitej në seancat gjyqësore ku është i akuzuar për shpifje. Të shkojë, të paraqitet e të prezantojë provat. Nëse nuk beson te kjo prokurori? Zoti Basha po del që nuk beson fare te sistemi dhe po kërkon të dalë nga sistemi, i cili në fakt e ka nxjerrë jashtë atë. Por le të ndalemi te faktet. Babale 1 po zbërthehet në detaje nga Prokuroria, po hetohet zëri i kujt është dhe përgjimet që janë bërë. Personazheve unë s’dua as t’ua përmend emrin, sepse refuzoj të marr pjesë në këtë politikë kaq të ulët që nuk merret me ide, me programe e vizione, t’u japi shpresë njerëzve, por merret me sajesa të tilla kriminale për të lëkundur themelet e qeverisë. Pushteti merret me votë dhe jo me përgjime apo video të sajuara. Nga faktet po del se dy elementë të botës së krimit janë bërë bashkë, janë përgjuar në telefonatat e tyre dhe rezulton se po prisnin një pagesë për këtë punë që kanë kryer. Prokuroria duhet t’i shkojë deri në fund dhe të nxjerrë këdo që është përfshirë. Të gjithë ata që janë përfshirë, nga llumi i kriminalitetit, e deri tek instancat që i kanë përdorur të përgjigjen për këtë skenar. Së dyti, sulmohet zoti Balla sepse është kryetar i grupit parlamentar të PS-së, mjafton të lexoni letrën që përfaqësuesit e opozitës në Komitetin e Stabilizim-Asociimit i kanë nisur përfaqësuesve të BE-së, eurodeputetëve dhe kryetarit të Kuvendit, për të kuptuar që qëllimi është baltosja e Shqipërisë”, deklaroi Spiropali për të vijuar me stadin në të cilin ndodhet vendi ynë sa i përket integrimit.

Pikërisht në kohën kur u nis procesi “screening”, opozita u dërgoi një letër eurodeputetëve, ku baltoset jo qeveria, por Shqipëria.

“Ne jemi përpara një vendimi shumë të rëndësishëm, që është çelja e negociatave. Kemi filluar procesin screening. E përfytyroni dot ju një burokrat europian apo një eurodeputet që lexon një letër të tillë ‘me pistoletë te koka komisarit të policisë’, në një kohë kur nga provat e Prokurorisë dhe nga filmimet del që ai nuk ka qenë atë ditë, sikurse del edhe nga qelizat e celularëve. Këto janë prova faktike, konkrete. Kanë dalë edhe videot e komisariatit, edhe pse kanë qenë sekret hetimor. Nuk ka njeri që t’u thotë: Si ka mundësi që ju po mundoheni të merrni peng fatin e Shqipërisë? Sepse këtu nuk po baltoset qeveria, por Shqipëria”, u shpreh Spiropali.

Top Channel