SHBA, uragani “ekstremisht i rrezikshëm” “Michael” pritet të godasë Floridën

10/10/2018 10:32

Uragani i fuqishëm “Michael” pritet të arrijë në brigjet e Floridës dhe ka detyruar ndërkohë evakuime masive në shtetin jugor amerikan.

Pasi ka arritur në kategorinë e katërt dhe me erëra që kapin shpejtësinë e 210 kilometrave në orë, “Michael” pritet të fuqizohet edhe më shumë kur të arrijë në Florida, siç kanë paralajmëruar meteorologët.

Më shumë se 370 mijë persona janë urdhëruar të evakuohen nga ky shtet. Florida, Alabama dhe Georgia kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Si pasojë e këtij uragani është raportuar se të paktën 13 persona kanë vdekur në Amerikën Qendrore.

Qendra Kombëtare për Uraganet, me bazë në Miami, ka njoftuar në revistën e saj se “fuqizimi i uraganit pritet të ndodhë gjatë natës dhe ditën e mërkurë, ndaj Michael parashikohet të bëhet tejet i rrezikshëm kur të arrijë në Florida”. “Dobësimi pritet të ndodhë pasi Michael të kalojë në shtetet juglindore të SHBA-ve”, ka thënë kjo qendër.

Guvernatori i Floridës, Rick Scott e ka cilësuar këtë uragan “me fuqi përbindëshi” dhe u ka bërë thirrje banorëve të dëgjojnë zyrtarët.

“Më lejoni të jem i qartë, stuhia me të cilën po përballen brigjet tona është vrasëse”, ka thënë ai përmes një postimi në Tëitter. “Mos i injoroni paralajmërimet e zyrtarëve lokalë, kjo stuhi mund t’iu vrasë. Ne mund të rindërtojmë shtëpinë tuaj, por nuk mund t’ua kthejmë jetën tuaj”, ka thënë ndër të tjera ai.

Megjithatë, zyrtarët lokalë besojnë se një numër i vogël personash është evakuuar, ndërsa shkollat dhe institucionet shtetërore janë mbyllur.

Top Channel