Qindra refugjatë jashtë rajonit policor në qendër të qytetit të Selanikut kanë qëndruar aty për disa ditë, duke kërkuar që të arrestoheshin nga autoritetet policore në mënyrë që të bënin kërkesë për azil.

Situata aspak e zakonshme për qytetin e dytë më të madh të vendit është zgjidhur kur autoritetet kanë zhvendosur mesditën e së martës, pjesën më të madhe të tyre me autobusë në Diavata, në një kamp refugjatësh tashmë të mbipopulluar.

Përshtypje të madhe ka bërë fakti se para largimit, emigrantët kanë pastruar të gjithë sheshin “Aristotelis”, ku ata kishin qëndruar për disa ditë e net.

Ndërsa gjendja e kampeve të pritjes së refugjatëve, sidomos në ishuj, vazhdon të mbetet kritike për arsye të mbipopullimit, Athina ka dërguar një notë kritike ndaj Brukselit dhe Ankarasë, duke reaguar ndaj relaksimit të dukshëm të ruajtjes së kufijve me Greqinë nga organet turke përgjatë lumit Evro.

Në këtë pjesë të kufirit, theksohet se veprojnë rrjete nga Bullgaria, Shqipëria dhe Maqedonia, që trafikojnë refugjatët nga Turqia drejt Greqisë.

Sipas ministrit të Emigracionit, Dimitris Vitsas, në vitin 2016 lumin Evro e kaluan në mënyrë të paligjshme 3.300 refugjatë. Një vit më vonë 5.500 të tillë, ndërsa sivjet ky numër ka shkuar në mbi 12 mijë vetë.

Shqetësim të madh ka shkaktuar tek organet greke dhe jo vetëm, informacioni se në Turqi, përveç refugjatëve sirianë, mbi 500 mijë afganë kanë hyrë nga Irani dhe Iraku, të cilët shkojnë drejt brigjeve turke të gatshëm për të kaluar me mundësinë e parë në Greqi.

Top Channel