Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj reagoi në Twitter pasi banorët e lagjes Laprakë penguan shkatërrimin e një fushe sportive në zonën ku ata banojnë, kur u njoftuan se i ka dalë pronari dhe se në këtë ambient ku luajnë mijëra fëmijë të zonës, do të ndërtohet nga kompania “Salillari”.

“Njësoj si shkolla “Kosova”, Bashkia Tiranë dhe qeveria shqiptare do shpronësojnë fushën në Laprakë, e cila fiks si shkolla, me ish-Qeverinë, ish-Bashkinë e ish-Gjykatat u kthye truall për pallat”, thotë Veliaj.

“Toka do shpronësohet për publikun e falë vetting-ut, trupa që dha këtë vendim u përzu nga drejtesia”, thotë kryebashkiaku i Tiranës.

  Protestë kundër “Salillarit”. Banorët e Laprakës pengojnë shkatërrimin e fushës së sportit

Ndërkohë që të kontaktuar nga Top Channel, Bashkia e Tiranës thekson se nuk ka asnjë leje ndërtimi për pallat në këtë fushë.

“Prona në fjalë ku aktualisht është fusha e sportit i është kthyer pronarëve me një urdhër ekzekutiv nr. 5920 të datës 28.06.2012 nga Gjykata. Por në buxhetin e ri të vitit 2019 bashkia ka vendosur që të shpronësojë pronarët për interes të banorëve, duke garantuar që terreni sportiv nuk do të preket”, thuhet në reagimin e Bashkisë Tiranë.

Top Channel