Në tryezën e kësaj të marte për Reformën Zgjedhore, pjesëmarrës ishin përfaqësues të partive të vogla, diplomatë ndjekës të këtij procesi, por edhe teknicienë. Bledi Çuçi, bashkëkryetar i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, ishte i ftuari i radhës në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, për të folur mbi çfarë ndodhi.

Tryeza, siç u shpreh Çuçi, vjen si rezultat i një agjende që qeveria e kishte miratuar bashkërisht me opozitën për vazhdimin dhe funksionimin e komisionit parlamentar për këtë reformë të rëndësishme, edhe pse opozita nuk ishte sot e pranishme.

“Në fund të korrikut u përmbyllën të gjitha seancat, takimet dhe tryezat e përbashkëta mes komisionit, ekspertëve ndërkombëtarë e vendas, por edhe shoqërisë civile, pas të cilave, me ndihmën e Ambasadës gjermane dhe fondacioneve gjermane në Shqipëri u kontraktuan dy ekspertë shumë të mirë vendas që të normojnë të gjitha konkluzionet dhe amendimet nga tryezat. Detyra e tyre ishte që gjatë gushtit e shtatorit të bënin një draft për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, që të adresonte pikë së pari të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it në 3 zgjedhjet e fundit në Shqipëri”, tha Bledi Çuçi.

Ndër pikat më kryesore dhe më të rëndësishme që vlejnë të përmenden janë:

“Së pari depolitizimi i komisioneve zgjedhore, që do të thotë se nuk do të kemi më monitorues dhe vëzhgues politikë. Më në fund jemi shumë pranë për të marrë këtë hap shumë të rëndësishëm për ta çpolitizuar ambientin e ditës së zgjedhjes, gjë që sjell çtensionim dhe një lexim më të drejtë të rezultatit. Ky ishte rekomandim i OSBE-ODIHR-it dhe ne e kemi përfshirë në draft. Një tjetër është konsolidimi i balancës gjinore, si në komisionet dhe administratën zgjedhore, ashtu dhe në Parlament. Duke konsoliduar kështu parimin me të cilin ne kemi rënë tashmë dakord, që 30% e përfaqësuesve në Kuvend të jenë të gjinisë tjetër, ne fusim elementë të tjerë që konsolidojnë këtë parim të sanksionuar. Kemi futur refuzimin e listës, nëqoftëse partitë politike nuk respektojnë këtë kuotë, si dhe mënyrën për të shmangur lojën që bëhet me dorëheqjen e komisionerëve. Tjetra ka të bëjë me kontrollin e financimit të partive politike dhe përdorimin e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore, forcuar edhe kjo me filozofinë që partive politike duhet t’u heqim të gjitha mundësitë për të bërë shpenzime të tepërta”, tha Çuçi.

Në këtë pikë, Bledi Çuçi konfirmoi se kjo e fundit ishte pjesë e një pakete parimesh të sugjeruara edhe nga opozita. Sikurse konfirmoi se po t’i shkohet pas të gjitha parimeve të opozitës, gjithçka është në harmoni me çfarë janë prezantuar sot.

Top Channel