Arrest me burg me afat 45-ditor. Ky ka qenë vendimi për Geldo Hotin, i arrestuari i tretë i masakrës së ndodhur në bllok mbrëmjen e 4 tetorit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.

Ashtu si ndaj Ervis Martinajt dhe Eljon Hatos, edhe ndaj Hotit, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kundërshtar në këtë konflikt, prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, por çuditërisht kjo akuzë nuk është shoqëruar me akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Në kërkesën e saj, prokuroria nuk specifikon veprimet e Geldo Hotit, madje nuk shpreh as dyshimin që ai mund të ketë qëlluar me armë, dyshim të cilin e nxori policia menjëherë pas ndalimit të Hotit në tentativë për të kaluar në Greqi. Vetë Hoti është shprehur se ai nuk kishte lidhje me asnjë nga palët në konflikt, por ndodhej në lokal pasi kishte miqësi me pronarin e lokalit.

Ndërsa tentativën për të kaluar në Greqi, Hoti e ka justifikuar me faktin se ishte një udhëtim i planifikuar për çështje pune dhe se nuk e dinte që kërkohej për atë ngjarje. Sa i takon dinamikës së ngjarjes, Hoti ka qenë thuajse në të njëjtën linjë me dëshminë e pronarit të lokalit, duke specifikuar se i plagosuri Ervis Martinaj dhe i dashuri i këngëtares, Ervin Mata, ishin në një tavolinë duke biseduar kur në lokal ka hyrë Fabian Gaxha, viktima e kësaj ngjarjeje, me armë në dorë dhe ka nisur fillimisht konfliktin verbal dhe më pas fizik me Mervjol Bilon, efektivin e forcave komando. Pas konfliktit fizik, janë dëgjuar të shtëna armësh, por pa i specifikuar se nga kush, pasi në lokal u krijua një gjendje amullie dhe njerëzit janë përpjekur që të largohen sa më shpejt.

Me disa dëshmitarë që tregojnë thuajse të njëjtën dinamikë ngjarjeje, por askush një motiv të konfliktit, dhe me dy persona, njëri i vdekur dhe tjetri në kërkim, që kanë qenë protagonistët e konfliktit, prokuroria ka afate fikse të përcaktuara nga gjykata për të siguruar prova bindëse për të mbajtur nën arrest Ervis Martinajn, Eljon Haton dhe Geldo Hotin, si dhe për të zbardhur këtë ngjarje që tronditi kryeqytetin.

Top Channel