Më 19 gusht të vitit 1989, fare pranë qytetit hungarez të Sopronit, në një livadh vetëm pak metra larg telave me gjemba dhe rojave të armatosura në kufirin me Austrinë, përfaqësues të shoqërive civile, nga lindja dhe perëndimi, organizuan një “piknik mbarë-europian”, duke shënuar një ditë të rëndësishme për vendin që me këto hapa të vegjël e simbolikë donte t’i jepte fund ndarjes së krijuar nga lufta e ftohtë.

Me një veprim befasues pro hapjes, qeveria komuniste e lejoi organizimin e këtij “pikniku mbi bar”. Megjithatë, askush nuk e priste që me mijëra njerëz, kryesisht nga Gjermania Lindore, të cilët kishin shkuar për pushime te “kombi vëlla”, do të vendosnin t’i bashkoheshin piknikut e të përparonin drejt vijave kufitare, me qëllimin për të kapërcyer paqësisht perden e hekurt.

Pa pyetur për rreziqet, ata vendosën ta kalojnë kufirin në këmbë. Të zënë në befasi, policët e regjimit komunist nuk qëlluan asnjë plumb, duke bërë që të ngrihet një lëvizje popullore, e cila, pak muaj më vonë, solli shembjen e Murit të Berlinit. Kjo shënoi fillimin e ribashkimit të Europës, që u bë konkret në vitet e ardhshme me ndërtimin e një hapësire të përbashkët demokratike që do të përfshinte (edhe pse mes shumë debatesh) një numër të madh vendesh që ishin lënë në dorë të shtypjes sovjetike, që prej vitit 1945.

Gushtin e shkuar kalova kufirin midis Sllovenisë dhe Gjermanisë, përmes mbetjeve të pikave kufitare të “Perdes së Hekurt”, tashmë të braktisura.  Disa pjesë të murit ishin ende të paprekura, ndërkohë që kullat e rojave dëshmonin se sa shpejt mund të dalë duarsh historia.

Mendova për atë piknikun e 29 viteve më parë, sesi një grumbullim i thjeshtë nisi një proces që ndryshoi rrjedhën e historisë. Mendova gjithashtu se si sot, teksa një tjetër re e errët po mblidhet përmbi qiejt e Europës, ka ardhur koha që të mobilizohen të gjithë qytetarët me vullnet të mirë, që të mblidhen po njësoj si në Sopron, në atë verë të vitit 1989, dhe t’i rezistojnë përçarjes, ksenofobisë, përjashtimit, diskriminimit dhe kufijve. Me pak fjalë, të parandalojnë çdo lloj kthimi te ajo e shkuar plot dhimbje dhe shtypje.

Sot po sulmohen vetë demokracia dhe Bashkimi Europian, ndërtimi politik më frymëzues në historinë moderne. SHBA-të me Donald Trump dhe Rusia me Vladimir Putinin janë bashkuar me qëllimin për të çmontuar një bashkim politik, dhe po punojnë natë e ditë për ta arritur, me ndihmën e partive ekstremiste.

Ka ardhur koha që demokratët e sinqertë europianë të reagojnë ndaj këtij kërcënimi vrastar. Ka ardhur koha që të ngrihen e të rezistojnë kundër forcave ekstremiste, të cilat i fshehin synimet e vërteta, duke na siguruar që nuk do t’i drejtohen dhunës apo shkatërrimit të ekuilibrave demokratike.

Por e vërteta është se sa herë që kanë marrë pushtetin, këto forca kanë vënë në pikëpyetje parimet liberale dhe kanë mënjanuar pakicat, opozitën dhe të ardhurit. Ata fajësojnë organizatat e shoqërisë civile dhe zërat e disidentëve, duke rindezur flakët e vjetra të nacionalizmit etnik. Mbjellin lajme të rreme për të fryrë njerëzit me urrejtje, teksa kërkojnë vazhdimisht dikë që ta fajësojnë për të gjitha problemet.

Në vitet 1930, partitë ekstremiste përdornin dhunën dhe terrorin në mënyrë sistematike. Sot, në shekullin e 21-të, përdorin dezinformimin, shpifjen dhe frikësimin. Por mos i nënvlerësoni pasojat e këtyre politikave. Kush do ta përfytyronte, vetëm disa vite më parë, se sot do të kishim demonizime të organizatave jo-qeveritare, refuzim me dhunë dhe vrasje të refugjatëve; persekutim të të huajve; rritje të akteve ksenofobie, dhe, siç pamë kohët e fundit në SHBA, ndarje dhe burgosje të fëmijëve, faji i vetëm i të cilëve është se u përpoqën të kalojnë kufirin me Meksikën. Të gjitha këto ndodhin teksa në vendet që rrethojnë BE-në vazhdojnë të shtohen demokracitë liberale dhe diktaturat.

Bashkëjetesa paqësore është nën rrezik të vërtetë, siç është në rrezik edhe vetë BE-ja që e mishëron këtë koncept.

Kriza me të cilën po përballemi tani nuk është më një krizë legjitimiteti kundër problemeve të dukshme që ka Brukseli, siç kemi parë nga sfidat e fundit të migrimit. Është një kriza e ekzistencës së një marrëveshjeje demokratike dhe shoqërore të bërë pas luftës, që pak e nga pak po vihet në dyshim.

FOTO: “Monumenti i paqes në Sopron, Hungari, në vendin ku u mbajt pikniku mbarë-europian, në vitin 1989. Alamy Stock Photo

Forcat demokratike e progresive po përballen në çdo vend me fantazma që po rishfaqen, fantazma që mendoheshin të harruara me të shkuarën. Si t’i luftosh tendencat dhe siguritë e partive që shfrytëzojnë pështjellimin e një popullsie të përballur me kriza ekonomike, me ndërprerje të globalizimit dhe me humbjen e pikave tradicionale të referimit? Duhet të fillojë një kryengritje demokratike, në mënyrë të pashmangshme, me bashkimin e forcave, shoqatave, grupeve e qytetarëve individualë, të cilët kanë qenë të përçarë deri tani nga keqkuptimet, mëritë e vjetra e nga ndryshimet e ideve.

Tani është koha që demokratët e pastër të mblidhen kundër një armiku të përbashkët që mund t’i zhvendosë e ta varrosë demokracinë liberale një herë e mirë. Nuk mund të qëndrojmë duarkryq kundër projekteve si ato të Steve Bannon, përfaqësuesit amerikan të së djathtës ekstreme, që do të ndërtojë një aleancë  evropiane. Ashtu si në gusht të vitit 1989, ka ardhur koha që t’u bëjmë thirrje qytetarëve të organizohen, të bashkohen e të ndryshojnë rrjedhën e historisë.

“Atje ku ka rrezik, aty rritet dhe shpëtimi nga rreziku”, ka shkruar poeti Fridrih Holderlin. Të gjithë ne që jemi të ndërgjegjshëm për rreziqet që po kërcënojnë Europën, sidomos Italinë, dhe që ndiejmë se po kapim një pikë kthese në jetën tonë dhe në jetën e fëmijëve, nuk mund të presim duarkryq që ky rrezik të largohet vetë.

Të gjithë ata që besojnë se pikat e vjetra të referimit nuk mjaftojnë për t’iu adresuar sfidave të reja gjeopolitike, ekonomike, shoqërore, emigruese, teknologjike, kulturore e mjedisore, e që besojnë te një Europë më e bashkuar; të gjithë ata që besojnë se Shtetet e Bashkuara të Europës janë e vetmja shpresë serioze dhe konkrete për të riafirmuar frymën e lirisë, drejtësisë, solidarizimit dhe vëllazërisë; tani duhet të bëjnë që të dëgjohen zërat, britmat dhe vendosmëria e tyre.

Një shkrim mbi monumentin e ngritur për të përkujtuar ngjarjet e 19 Gushtit të vitit 1989, shërben edhe sot si kujtesë për të gjithë ne: “Epoka që na pret nuk duhet të jetë një epokë goditjesh dhe armiqësish. Kjo është përgjegjësia me të cilën i detyrohemi të ardhmes.”

Prandaj, disa muaj më parë, unë themelova EuropaNow, një organizatë civile që ka si qëllim të mbështesë ndjesinë e patriotizmit europian dhe të promovojë Shtetet e Bashkuara të Europës. Kjo është në dorë të europianëve demokratikë, sidomos më të rinjve, të brezit të Erasmusit, që të tregojnë se vazhdojnë ta dëgjojnë jehonën e lirisë që nga Soproni, dhe që janë gati të çohen në këmbë për një Europë të bashkuar e vëllazërore.

Eric Jozsef, The Guardian

Top Channel