Modelet elektrike po dominojnë dhe po tërheqin prozhektorët në “Paris Motor Show” këtë vit.

Në atë që konsiderohet si ngjarja më e madhe në botë e industrisë së automobilëve, shumë prej risive fshihen nën ombrellën e mjeteve të reja elektrike, që në sipërfaqe mund të duken të ngjashëm me homologët me lëndë djegëse.

Edhe Mercedes Benz, me fuoristradën e re “EQC”, është joshur nga tendenca elektrike, me prodhuesin gjerman që planifikon të nxjerrë në treg një familje modelesh elektrike në vitet në vijim.

Konkurrentja e drejtpërdrejtë e tij, Audi vjen me fuoristradën “e-Tron”, me një autonomi të kënaqshme prej 400 kilometrash, duke bërë debutimin publik në Paris. Ashpërsimi i rregulloreve ambientale në shumë vende, përfshirë Francën, i ka bërë makinat elektrike me zero emetime gjithnjë e më tërheqëse.

Shumë klientë joshen nga makinat elektrike, duke pasur në mendje faktin se ato janë makinat e së ardhmes.

Edhe modeli 3 i Teslas, më i përballueshëm krahasuar me të sapoardhurit në fushë, ka bërë premierën e tij europiane në Paris, duke konkurruar me makinat luksoze futuristike të Mercedesit apo Peugeot, por edhe me idetë ekstravagante të dizajnit për makinat autonome të së nesërmes.

Top Channel