Në krye të qendrave shëndetësore dhe spitaleve nuk do të ketë më drejtues të cilët nuk kanë në formimin e tyre arsimor, menaxhimin.

Prej vitesh kemi hasur drejtues të këtyre institucioneve të rëndësishme që katapultohen nga politika, që nuk kishin lidhje as me menaxhimn dhe as me mjekësinë, çka ka sjellë shpesh keqpërdorim, deri dhe abuzim me fondet. Tanimë, duket se kjo praktikë po merr fund. Unversiteti i Mjekësisë, në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik, kanë hapur një master për menaxhim shëndetësor, të cilin duhet ta frekuentojnë ata që kanë një diplomë “bachelor” e që duan të jenë drejtues të institucioneve shëndetësore, madje dhe drejtuesit aktualë.

Enver Roshi, shef i Departamentit të Shëndetit Publik, shprehet: “Menaxhimi shëndetësor është shkencë, profesion më vete. Të gjithë menaxherët kanë nevojë për konceptet bazë të drejtimit financiar dhe njerëzor të këtyre institucioneve. Deri më sot, jo të gjithë kanë profil mjekësor”.

Aplikimet për të ndjekur këtë master 1-vjeçar kanë filluar dhe shefi i departamentit të menaxhimit thekson se ka ardhur koha të çojmë profesionistët në poste drejtuese: “Është treg që ka vuajtur për menaxher profesionit. Menaxherit i duhen njohuri dhe shkollim”.

Konkurrenca ndërmjet atyre që duan të ndjekin këtë master është e fortë, pasi do të përzgjidhen vetëm 30 fitues. Kurrikula e masterit të menaxhimit shëndetësor është hartuar me mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe profesorë të Fakultetit të Mjekësisë dhe atij të Ekonomisë do të ketë edhe profesorë të ardhur nga Unversitetit i Bazelit.

Top Channel