Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën në Bosnje-Hercegovinë, ashtu sikurse kandidati i partisë më të madhe të myslimanëve boshnjakë, Sefik Gjaferoviç.

“Shpall fitoren”, ka thënë Dodik në një konferencë për mediet, duke shtuar se ai ka fituar 56 për qind të votave në ulesët e serbëve, në shtetin me presidencë tripalëshe.

Kandidati i myslimanëve boshnjakë, Sefik Gjaferoviç, nga partia “SDA”, po ashtu ka thënë se ka fituar ulëset e boshnjakëve, apo 40 për qind të votave.

“Unë jam duke udhëhequr dhe kam fituar ulësen në Presidencën e Bosnjës”, ka thënë Gjaferoviç në një konferencë për mediet.

Banorët e Bosnje-Hercegovinës, që kanë votuar të dielën për të vendosur nëse shteti i tyre do të ndjekë rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimit Europian, theksojnë se vendi do të zhytet edhe më thellë në ndasitë etnike.

Rreth 3.35 milionë persona kanë pasur mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, në të cilat do të zgjidhen fituesit e Presidencës tripalëshe, një boshnjak, një kroat dhe një serb, si dhe ligjvënësit në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të bëjnë të ditur udhëheqësit e dy rajoneve autonome, të Republikës Serbe dhe Federatës Boshnjako-Kroate, si dhe 10 kantoneve të Federatës.

Dodik, me qasje proruse, ka përsëritur vazhdimisht integrimin me Serbinë, teksa analistët kanë thënë se ai do të tentojë të dobësojë Bosnjen si anëtar i presidencës.

Ndërkohë, Zheljko Komsiç, kroat i moderuar, që tanimë ka shërbyer dy mandate në presidencë, ka thënë se është duke udhëhequr në krahasim me nacionalistin, Dragan Çoviç, nga partia më e madhe kroate “HDZ”.

Komisioni zgjedhor ka njoftuar se dalja në zgjedhje ka qenë 53.3 për qind. Komisioni Zgjedhor ka thënë se do bëjë publike rezultatet paraprake për Presidencën pas mesnatës, ndërsa rezultatet për Parlamentin do të publikohen ditën e hënë.

Top Channel