Zëvendës ministrja e Brendshme, Romina Kuko doli në një konferencë të pazakontë për shtyp, ku foli për një ngjarje të ndodhur në një furgon që transportonte nxënës në qytetin e Dibrës, të denoncuar nga Ministria e Arsimit.

“Ministria e Brendshme është sinjalizuar nga Ministria e Arsimit se një shofer furgoni ka dhunuar një fëmijë. Në lidhje me këtë rast, Ministria e Brendshme i ka kërkuar menjëherë policisë që të veprojë”, tha Kuko.

Sipas saj, policia ka identifikuar autorin, i cili aktualisht mbahet në ambientet e Komisariatit të Dibrës për të kryer veprimet e para procedurale.

Pas përfundimit të këtyre veprimeve, Policia e Shtetit do të dalë në një deklaratë të detajuar sqaruese për ngjarjen.

“Ministria e Brendshme nxit Policinë e Shtetit të kryejë të gjitha veprimet ashtu siç e ngarkon ligji. Siguria e qytetarëve vjen e para. Siguria e fëmijëve qëndron mbi gjithçka. Çdo abuzim ndaj tyre do të ndëshkohet me zero tolerancë”, tha zv/ministra Kuko.

Top Channel