Pas provave të lira në pistën e Suzukës, duket se në kampin e Ferrarit do ta pranojnë një gjysmëdështimi në garën e Japonisë, në Formulën 1.

Edhe pse u rezervua në parashikimin e ndalesës aziatike këtë të dielë, piloti gjerman Sebastian Vettel pranoi se rivalët e “kokëkuqes” janë të shpejtë.

“Jam i kënaqur nga paraqitja e makinës, pasi ishte një ditë e qetë në krahasim me garat e tjera. Gjithsesi nuk jemi shumë të shpejtë dhe do të duhet të punojmë shumë, që të japim maksimumin në provat kualifikuese. Nëse Mercedesi do të jetë kaq i shpejtë sa këtë të premte, do të jetë e vështirë për ‘pole position’-in”, tha Sebastian Vettel.

Jo shumë i kënaqur është dukur protagonisti tjetër i Ferrarit, finlandezi Kimi Raikkonen.

“Vuajta si gjithmonë për të mbajtur ritmin dhe për të regjistruar kohën më të ulët, por kemi shumë punë për të bërë. Nuk e di nëse shiu mund të na ndihmojë në provat zyrtare, por do të shohim çfarë na rezervojnë retë”, tha Raikkonen.

Top Channel