Komisioni i Prokurimit Publik pezulloi tenderin për koncesionin e kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve. Vendimi për të pezulluar nismën e shumëpërfolur të qeverisë është marrë pas ankesës së një kompanie private nga Zvicra.

Në ankesë, kompania zvicerane pretendon se procedura e ndjekur nga qeveria për të dhënë me koncesion këtë shërbim është e jo transparente dhe e paligjshme, duke çuar praktikisht në paracaktimin e fituesit pa lejuar garë.

Për këtë arsye, Komisioni i Prokurimeve Publike, ka urdhëruar ministrinë e Financave të pezullojë menjëherë tenderin dhe të vërë në dispozicion të Komisionit informacione shtesë për të gjitha pretendimet e ngritura nga kompania.

Tenderi për të dhënë me koncesion kontrollin e pompave të karburanteve u shpall nga ministria e Financave dy javë më parë dhe ishte parashikuar të zhvillohej në 18 tetor. Ky koncesion, ka ardhur si propozim i pakërkuar nga kompania Noa Control, e cila është shpërblyer nga qeveria me 10 për qind të pikëve duke qenë e avantazhuar në tender.

Aktualisht kontrolli i pompave në stacionet e karburanteve kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë. Për këtë kompanitë e karburanteve paguajnë rreth 100 euro në vit për çdo pompë, që kanë në stacionet e tyre.

Tenderi i qeverisë ia kalon këtë shërbim në kushte monopol një kompanie private, e cila pritet që në 20 vitet e koncesionit të fitojë mbi 50 milionë euro nga kjo kontratë dhe të kryejë vetëm 500 mijë euro investime.

Top Channel