Mediat serbe: Kina rikthen raportimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

02/10/2018 11:58

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë serish për Kosovë, bazuar në raportin tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, përkatësisht të UMIK-ut, për gjendjen në vend.

Kina, siç shkruan e përditshmja e Beogradit, “Novosti”, do të kryesojë gjatë nëntorit Këshillin e Sigurimit, dhe ajo do të fusë në rend të ditës raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për gjendjen në Kosovë. Britania e Madhe, që kryesonte Këshillin e Sigurimit të OKB gjatë gushtit, e hoqi nga rendi i ditës raportin tremujor për Kosovën.

Njësoj veproi edhe Uashingtoni, që kryesonte Këshillin e Sigurimit gjatë shtatorit. Në nëntor, sipas këtij burimi, do të shqyrtohen dy raporte tremujore për Kosovën. Raporti i fundit është shqyrtuar në seancën e majit, shkruan koha.net.

Britania, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një varg shtetesh të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit ka kohë që e kërkojnë të rrallohet shqyrtimi i raporteve për Kosovën, meqë situata nuk është e tillë për shqyrtime kaq të shpeshta, por propozimi i tyre nuk ka kaluar për shkak të kundërshtimit të Rusisë, Kinës dhe të ndonjë vendi tjetër.

Top Channel