Nobeli i sivjetshëm i Mjekësisë u shkoi dy kërkuesve të rëndësishëm në luftën kundër kancerit. Amerikani James P. Allison dhe japonezi Tasuku Honjo arritën, sipas jurisë së çmimit prestigjioz në Stokholm, të vendosnin një gur të ri themeli në këtë betejë të gjatë e të vështirë.

Ata realizuan zbulime vërtet inovative, sesi mund të përdoret sistemi imunitar i njeriut për t’i luftuar vet qelizat kanceroze.

Dy kandidatët njihen prej kohësh si shkencëtarë të respektuar në fushën e mjekësisë dhe shiheshin si pretendentë për çmimim prestigjioz.

Terapia e imunitetit është një trend i viteve të fundit në fushën e mjekësisë. Synimi i saj është që të aktivizojë sistemin imunitar të njeriut për të luftuar qelizat malinje. Kjo do të thotë se, në momentin që qelizat mbrojtëse të sistemit imunitar arrijnë t’i identifikojnë qelizat tumorale, më pas nisin e i luftojnë.

Vështirësia ishte si do të nxitej sistemi imunitar që ta bënte këtë dallim. Këtu hyjnë në lojë Allison dhe Honjo. Dy imunologët zhvilluan një metodë që – siç thuhet, – i bën “të dukshme” qelizat kanceroze për sistemin imunitar.

Allison, profesor i Universitetit të Teksasit, si dhe Honjo, profesor i atij të Kiotos, do të ndajnë mes tyre shumën e çmimit që mbërrin në total rreth 1.01 milion dollarë, ose 870 mijë euro.

Top Channel