Çmimet e Festivalit të Teatrit. Fitues, Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Altin Basha

01/10/2018 15:38

Ndarja e çmimeve mbrëmjen e së dielën në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit nuk kaloi pa zhurmë. Sidomos një konkurrencë e fortë u ndesh në çmimin aktori më i mirë, një duel i fortë mes Reshat Arbanës tek “Babi”,i cili ishte edhe fituesi i këtij çmimi, me Refer Abazin për shfaqen “Vdekja e Dantonit”, që vinte nga Maqedonia.

Pa dyshim që edhe realizmi i Refet Abazit ishte një realizim me dinjitet brenda një shfaqeje do të thoja të veçantë. Duke u vendosur përballë një realizmi të Reshat Arbanës dhe personazhit të tij në veprën “babai” ku ishte shumë afër me moshën, me problemet që i fillojnë në moshën e tretë, por çmimi një është tek e fundit’, tha Ndriçim Xhepa, kryetari i jurisë.

Aktorja protagoniste më e mirë shkoi për Luiza Xhuvanin, çmimi i karrierës për Roza Anagnostin, regjia më e mirë i shkoi Altin Bashës, ndërsa shfaqja më e mirë u shpall “Vdekja e Dantonit” nën regjinë e boshnjakut Dino Mustafic.

Sipas presidentit të festivalit ajo që nuk duhej bërë ishte të përzihej brenda festivalit drama shqipe me atë të huaj, për shkak se kjo e fundit është tashmë e sprovuar me dekada përkundrejt dramës sonë.

“Është çështja e të mosqenit bashkë brenda një kompeticioni teatror dhe dramaturgjia qoftë klasike, qoftë kontemporane, të jetë bashkë me dramaturgjinë shqiptare, për arsyen e thjeshtë që të jemi logjikë edhe modestë, nu8k mundet që një autor i nivelit vërtet të lartë që e kanë aprovuar dhjetëvjeçarët në gjithë skenat e botës, të jetë baraz me një dramaturg që eksperimenton”, tha Xhepa.

Festivale të tilla janë të mira sidomos për të bërë bashkë njerëzit e teatrit dhe shkëmbimin e eksperiencave midis tyre, megjithëse jo pak raste ka ku divergjencat dhe përplasjet mes tyre, nuk kalojnë pa u vënë re. Për Altin Bashën, Tirana është e mërzitshme për atë që të ofron artistikisht, ndërsa për ministren e kulturës Mirela Kumbaro, Hervin Çuli ka bërë një punë të mirë.

“Unë them që ky festival duhet të jetë i vazhdueshëm, pasi normale është të takohen  njerëzit dhe të bashkëbisedojnë për shumë probleme. Aty krijohen edhe bashkëpunime të reja. Mund të shkojë një regjisor i Tiranës, në Prishtinë apo Prizren, mund të vijë një regjisor i Shkupit në Tiranë apo Elbasan…”, tha kryetari i jurisë, Xhepa.

Top Channel