Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit erdhi në ditët e tij të fundit, duke patur një pjesëmarrje nga gjithë shqiptaria, e cila, sipas anëtarëve të jurisë, ishte e një niveli të lartë, megjithatë në debatet artistike ajo që ra në sy ishte një përballje ndërmjet dramës së huaj dhe asaj shqipe.

Siç duket, kjo e fundit ka ende një rrugë të gjatë drejt përmirësimit.

Qëndrim Rijani, regjisor dhe anëtar jurie, shprehet: “Besoj që në krye të debateve më shumë ka pikasur se çfarë duhet të bëjmë ne për dramaturgjinë shqiptare. Si mund ta avancojmë dramaturgjinë shqiptare”.

Megjithatë, këto diskutime dalin në pah vetëm në festivale si ky, sepse është bërë e ditur tashmë që pjesëmarrja në debatin e zhvillimit të dramës shqipe nuk është e përfillshme.

Por, në këtë rast ajo që ka edhe më rëndësi është fakti që arti bëri bashkë shqiptarinë.

“Gjëja më e rëndësishme e këtij festivali është fakti që po na mbledh në fund të fundit për të parë ku është teatri i shqiptarëve të Maqedonisë, ku është teatri i shqiptarëve të Kosovës, ku është teatri i shqiptarëve të Shqipërisë dhe të shkembejmë eksperienca. Diku ka qenë më ndryshe trupa e Prishtinës, diku ajo e Shkupit, diku trupa e Tiranës dhe kjo na bën që ne të japim dhe të marrim shumë më shumë me njëri-tjetrin”, shpjegon Rijani.

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit u shndërrua kështu në një shfaqje të madhe mes shfaqjesh, për të kuptuar edhe më mirë pikat e dobëta dhe nevojat e përmirësimit ndërmjet trupave.

“Do të kisha thënë që në të gjitha shfaqjet që kanë ardhur ka divergjenca. Dhe kjo është mirë. Ka përplasje. Festivali në fund të fundit është festival me rreth 14 shfaqje dhe unë mendoj që është i suksesshëm sepse mbi 60% e shfaqjeve janë vërtet të mira”, tha Rijani.

Top Channel