Protestë kundër “kufijve” në Prishtinë, Thaçi viziton Mitrovicën

29/09/2018 15:21

Prishtina është mbushur me tubues të mbërritur edhe nga qytete të tjera të vendit për të mbështetur nismën e lëvizjes Vetëvendosje, organizatorja e protestës masive kundër korrigjimit të kufijve.

Tubimit i janë bashkuar edhe punëtorë të minierës së Trepçës, të cilët marshuan drejt kryeqytetit me flamuj në duar. Reagimi ndaj thirrjes së Vetëvendosjes, ka qenë i madh.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndërkohë ndodhet në veri të Mitrovicës. Kosovapress thotë se kreu i shtetit është atje prej disa orësh e pritet të mbajë një fjalim.

Masa të shtuara janë marrë për sigurinë e tij, përfshirë dhe praninë e njësisë speciale ROSU. Pikërisht ndaj kësaj prezence ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Mediat serbe raportojnë se ai i ka kërkuar ushtrisë të vendoset në gatishmëri të lartë për shkak se ROSU gjendet në Ujman. Sondazhet më të fundit ndërkohë tregojnë se 77,6% e qytetarëve të Kosovës janë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, e madje atë nuk e mbështesin as serbët dhe pakicat e tjera në vend.

Pakënaqësia e qytetarëve sipas raportit është shprehur edhe në mënyrën sesi Presidenti Thaçi, po drejton procesin e bisedimeve dhe po ashtu edhe qëndrimi o mbajtur prej opozitës.

Top Channel