“Shiko kush Luan”. Të shtunën rikthehet në Top Channel loja argëtuese

28/09/2018 15:40

Ju kishte munguar “Shiko kush Luan”? Lojrat argëtuese, të ftuarit me sharm, ngacmimet me humor etj. do të rikthehen në këtë sezon të dytë të “Shiko kush Luan”, në ekranin e Top Channel.

Gjithçka është në përgatitjet e fundit për një “show” madhështor e plot argëtim që Top Channel do t’ju ofrojë të shtunave mbrëma.

“Më keni kapur në emocionet e para. Në stresin e fillimit nëse do shkojë gjithçka mirë. Dhe pa diskutim, në lumturinë e madhe që “Shiko kush Luan” po rikthehet në sezonin e dytë. Në fakt, jam shumë e lumtur sepse kërkesat kanë qenë shumë të mëdha nga publiku. Ne jemi bërë gati shumë shpejt që të vijmë sa më shpejt afër gjithë publikut tonë, afër gjithë njerëzve që duan të lujanë me ne në “Shiko kush Luan”, shprehet moderatorja dhe autorja Luana Vjollca.

Nën autorësinë e plotë të Luana Vjollcës, “Shiko kush Luan” vjen sërish në dy skuadra, blu dhe të kuqe. Me dy kapitenë të rinj, Florin dhe Adin.

Një risi e këtij sezoni është që çdo puntatë do të ketë një të ftuar special, me një intervistë 180 sekonda. Por, surprizat nuk mbarojnë këtu.

“Dhe një risi që kam dashur shumë ta kem në sezonin e kaluar, por që arritëm ta kemi në këtë sezon të dytë është që të gjithë ju të dashur miq që dëshironi të luani me “Shiko kush Luan”, të mos luani nëpërmjet ekranit të Top Channel, por të luani edhe në studion e “Shiko kush Luan”. Pa dyshim që do të stacionoheni në orën 21:00 në Top Channel”, theksoi Luana.

Prandaj, kushdo që ka një talent të veçantë mund të jetë pjesë e “Shiko kush Luan”.

“Çdo të shtunë, mos harroni! Jam e bindur që s’do harroni, faleminderit shumë”, thotë Luana Vjollca.

Top Channel