Moti i keq alarmon Greqinë. Cikloni “Ksenofon” shkakton një sërë problemesh

Cikloni mesdhetar i ashtuquajtur “Ksenofon” shoqërohet me erëra të fuqishme e dallgë që shkojnë deri në 10 ballë, duke shkaktuar probleme sidomos në transportin detar. Në shumë porte të Greqisë është ndaluar lundrimi.

Vetëm në Prefekturën e Atikës janë regjistruar qindra pemë të thyera e të shkulura nga fuqia e erës, ndërsa organet vendore urdhëruan që këtë të premte, të gjitha shkollat e kësaj prefekture të qëndrojnë të mbyllura.

Shkollat do të jenë të mbyllura edhe në ishujt e Jonit, Zakintho dhe Kefaloni, në Peloponez, si dhe në ishujt e Egjeut jugor.

Sipas parashikimeve të meteorologëve grekë, cikloni ka shumë mundësi të prekë orët në vijim një pjesë të mirë të ishujve të Greqisë jugore, midis tyre edhe Kretën, e më pas pritet që ai të ngjitet në Peloponez, i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu.

Ndërkohë, organi i Mbrojtjes Civile ka njoftuar të gjithë organizmat shtetërore, bashkitë dhe prefekturat e vendit, të jenë në gjendje gatishmërie për të përballuar fenomenet e tejskajshme natyrore.

Gjithashtu janë këshilluar qytetarët të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të marrin masa nga rreziqet që rrjedhin prej këtyre fenomeneve.

Top Channel