Kryeministrja serbe flet për paqen, fjalimi i Bernabiç në asamblenë e OKB

28/09/2018 18:27

Në ditën e tretë të diskutimeve, Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork i`u drejtua kryeministrja serbe Ana Bernabic. Përpara një salle gjysmë të zbrazët, Bernabic përmendi disa herë fjalën që delegatët e lodhur nga fjalimet donin më së shumti të dëgjonin: paqe.

Shefja e ekzekutivit serb e siguroi publikun se vendi i vet është i angazhuar për një shoqëri paqësore, të drejtë dhe të besueshme.

“Vlera themelore e Bashkimit Europian, dhe e vetë OKB-së është paqja. Nuk është ekonomia, nuk është tregtia apo një treg i zgjeruar. Është paqja. Të gjitha gjërat e tjera kanë ardhur dhe do të vijnë gjithmonë si efekt i fuqishëm i paqes. BE-ja në vetvete është një projekt paqeje dhe mjaft i suksesshëm madje. Dhe në duam, në duhet të jemi pjesë e tij, në mënyrë që të ketë një paqe të qëndrueshme, e për rrjedhojë, stabilitet e prosperitet në Ballkan, rajoni i trazuar i botës që njihej dikur si fuçia e barutit e Europës’, tha Bernabic.

Shtypi i huaj thotë se fjalën “paqe`”, Bernabic e përdori plot 13 herë në fjalimin e saj. E ndërsa e theksoi sa më shumë mundi linjën e Beogradit, foli edhe për Kosovën duke kujtuar se më pak se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur deklaratën e pavarësisë, ndërkohë që mbi gjysma, apo me shume se 5 miliardë njerëz, nuk kanë pranuar ta njohin atë që e cilësoi si “ndarje te paligjshme të Kosovës`”.

Por, përpos konstatimeve, pati edhe një premtim: Sado i vështirë, sado sfidues apo i pashpresë të jetë dialogu me Prishtinën, tha Bernabic, ne do të mbetemi të angazhuar të gjejmë një kompromis që do të sjellë paqe të qëndrueshme, prosperitet dhe të ardhme të ndritur për të gjithë popujt e rajonit”.

Top Channel