Vettingu në politikë, Pjerin Ndreu në “Top Talk”: Do merret me thashetheme. SPAK, institucioni i duhur

26/09/2018 16:11

Vettingu në politikë është prej disa ditësh kryefjala e debatit politik në Shqipëri, e teksa PS kërkon që ta dërgojë nismën e opozitës në Komisionin e Venecias për të marrë konfirmimin e ndërkombëtarëve, Pjerin Ndreu në studion “Top Talk” argumenton se vettingu politik i kërkuar nga opozita do të jetë vetëm në kuadër të thashethemeve, e askush nuk do të mund të provojë lidhjet kriminale.

“S’ka tërheqje, po i japim rëndësinë e nevojshme me anë të një institucioni ndërkombëtar”, u shpreh Pjerin Ndreu lidhur me vendimin e marrë sot në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, që nismën e opozitës ta çojë më parë në Komisionin e Venecias.

Për deputetin socialist, vetëm një drejtësi e pastruar nga ku do të formohet SPAK do të mund të hetojë e dërgojë në burg politikanët e përfshirë në afera korruptive, apo krime të tjera.

“SPAK është ai që do të hetojë zyrtarët e lartë, s’ka nevojë të jenë dy. Për shkak se kjo çështje është sensitive, do kërkojmë mendimin e ndërkombëtarëve. Vettingu në politikë?! Po flasim për thashetheme. Kush e vërteton që një kontakt i imi është në marrëdhënie me krimin. Kush do ta provojë këtë. Sërish do të shkojmë para gjykatës. PS nuk i trembet fare kësaj nisme, është më e ashpër reforma në drejtësi nga ku del edhe SPAK, një institucion i mirëorganizuar”, u shpreh Ndreu.

Sipas deputetit socialist, politikanët kanë krijuar një tymnajë se të gjithë janë të zinj, e asnjë i bardhë dhe vettingu në politikë do të shkojë po në këtë kuadër, teksa ndëshkimi arrihet me prova dhe jo thashetheme.

“Ne e kemi strukturën, për çfarë do të shpikim një tjetër. Unë mbështes varianti që t’i çojmë në gjyq dhe t’i burgosim politikanët, ndërsa ata thonë që të merremi me llafe. Sot pushtetin numër 1 e ka disinformacioni. Disa politikanë kanë krijuar një tymnajë se të gjithë janë të zinj, e asnjë i bardhë dhe kjo arrihet me prova dhe jo me thashetheme”, u shpreh Ndreu.

Top Channel