Një treg të vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe vullnet politik për të hequr barrierat që pengojnë ndërlidhjen në rajon është shprehur ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë takimit të ministrave të Ballkanit Perëndimor me eurokomisionerin për zgjerimin Johannes Hahh, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Ministrat diskutuan mbi ecurinë e zbatimit të Zonës Ekonomike Rajonale, perspektivën e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor si dhe situatën politike e ekonomike në rajon. Në fjalën e tij, Ministri Bushati theksoi lidhjen e drejtpërdrejtë mes konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe mjedisit të sigurt në funksion të zhvillimit ekonomik të rajonit si dhe nënvizoi domosdoshmërinë e vullnetit politik për heqjen e barrierave që pengojnë ndërlidhjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kontekst, Ministri Bushati i kushtoi rendësi të veçantë domosdoshmërisë së përfshirjes së gjithë vendeve të rajonit në hartën e ndërlidhjes telefonike dhe në zbatimin e angazhimeve për hapjen e pikave kufitare e lehtësimin e lëvizjes mes qytetarëve të rajonit. Kreu i diplomacisë shqiptare ri solli në vëmendje deklaratën e Samitit të Sofjes, e cila nënvizon rëndësinë e një tregu të vetëm për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, Ministri Bushati ishte i pranishëm në Darkën Transatlantike të organizuar nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, BE-së dhe vendeve partnere. Biseda u përqendrua tek çështjet e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballen shoqëritë tona.

Top Channel