Kërcënoi prokurorin, ndalohet deputeti i “Nismës” Milaim Zeka

26/09/2018 14:22

Deputeti i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka është ndaluar nga autoritetet dhe i është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh, për shkak të – siç thuhet, – “kërcënimit ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Afrim Shefkiu”.

I njëjti ligjvënës u prangos një vit më parë, nën dyshimin e veprës penale të “pjesëmarrjes në krim të organizuar dhe mospagim taksash”.

Duke e komentuar punën e prokurorit që merret me çështjen kundër tij, Zeka tha për mediet lokale gjatë kësaj jave se “do ta ndjekë këtë prokuror me gjyq, me Kanun e madje edhe privatisht”.

“Nuk ia fal poshtërimin, – u shpreh ai, – se njerëzit thonë për mua tani ‘ky mashtruesi i vizave’”.

Sipas Prokurorisë, Zeka ndiqet për “përfshirje në grupin e organizuar kriminal në mashtrimin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani”.

Një ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte dënuar ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet e tij ndaj prokurorit Afrim Shefkiu.

Top Channel