U denoncuan në Fiks Fare, policia ndalon inspektorët gjobëvënës të AKU

25/09/2018 17:05

Pas shkarkimit nga detyra të dy inspektorëve të AKU Durrës, policia ka ndaluar Arben Gupin dhe Medi Çelën, të cilët u denoncuan një natë më parë në emisionin investigativ Fiks Fare duke marrë një ryshfet prej 10 mijë lekësh të reja. Ngjarja ka ndodhur para pak ditësh në qytetin e Durrësit, teksa inspektorët e shtetit sillen në biznese si gjobëvënës.

Arben Gupi, 51 vjeç dhe Medi Çela, 49 vjeç, të dy inspektor pranë Drejtorisë së AKU-së janë ndaluar nga policia e Durrësit pas publikimit të videos në Top Channel.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit E.J. 26 vjeç, banues në Durrës, kamarier në subjektin privat që u kontrollua.

  Fiks Fare/ Inspektorët gjobëvënës të AKU-së, 100 mijë lekë ryshfet për të “mbyllur sytë”

Policia bën me dije se më 18 shtator, shtetasit e mësipërm në detyrë Inspektor pranë AKU-së kanë ushtruar kontroll pranë një subjekti privat dhe nuk kanë mbajtur akt konstatimi ku kamarieri i subjektit që u kontrollua u ka ofruar një sasi parash prej 8 000 lekë të reja, me qëllim që të mos e gjobisnin për mungesë të dokumentacionit higjieno – sanitar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ” Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” , “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar në nenet 259, 248 , 25 dhe 244 të Kodit Penal.

Top Channel