PS: Kunati i Bashës ka 6 kompani reklame dhe konsulence

25/09/2018 14:20

Socialistët mohuan deklaratën e Lulzim Bashës që nga ekrani i Top Channel tha se asnjë familjar i tij nuk kishte kompani konsulence, duke e cilësuar këtë një mashtrim të kryedemokratit.

Deputetja Klotilda Ferhati tha: “Kunati i tij, Erion Isufi zotëron jo një, por plot 6 kompani reklame dhe konsulence: “Landmark Communications”, “Landmark Technologies”, “Landmark Premium Print”, “HR Solutions”, “Albania Internet” dhe “Blacksheep”. A e dini se vetëm “Landmark Communications” dhe “Premium Print”, që prej themelimit kanë gjeneruar mbi 11 miliardë lekë? Vetëm vitin e kaluar, xhiro e deklaruar e këtyre kompanive arriti në 2,2 miliardë lekë, nga të cilat fitimi i deklaruar vetëm 40 milionë lekë të vjetra. Pra, një rrjet kompanish që qarkullojnë shuma kolosale, “deklarojnë” se u mbeten në xhep po aq sa fitojnë shumë biznese të vogla që kanë një marzh fitimi prej më pak se 5%. Por, mashtrimi me taksat është halli më i vogël që ka Luli dhe familjarët e tij”.

Sipas deputetes Klotilda Ferhati, ata që Basha sot i quan oligarkë, prej vitesh derdhin para’ në në xhepat e familjes së tij: “A mos vallë fushata e nisur nga kryetari i opozitës ndaj të njëjtëve persona që e kanë ndihmuar të pasurohet, është një fushatë gjobëvënieje, përmes të cilës Basha pretendon të blejë heshtjen e bizneseve? A mos vallë Lulzim Basha po bën pikërisht atë për të cilën akuzohet brenda PD-së? Sulme nominale mbi biznesin për të vjelur taksën e heshtjes së tyre! Apo mos vallë kunati i Lulzim Bashës kërkon më shumë prej tyre, nga sa merr rregullisht, dhe për këtë përdor altoparlantin e Partisë Demokratike?”.

Ndërsa në Twitter, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla shkroi: “Opozita është gardiani i qeverisjes. Por, sot në Shqipëri, kryetari i PD-së, Lulzim Basha është gjobëvënësi i rëndomtë i sipërmarrjes. 11 milionë dollarë gjobë/fatura kanë paguar tek kunati i Bashës kompanitë e oligarkëve”.

Top Channel