Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka bërë histori si e para udhëheqëse botërore që merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me foshnjen e saj të porsalindur në prehër.

Ajo u shfaq me të bijën në OKB, mbrëmjen e së hënës, e luajti me të përpara se të mbante fjalën në Samitin e Paqes “Nelson Mandela”.

Ndërsa ajo fliste, partneri Clarke Gayford mbante foshnjën tremuajshe, Neve te Aroha.

Kryeministrja vazhdon ta ushqejë me gji të bijën, gjë që ka bërë që Neve të udhëtojë me të në Nju Jork për udhëtimin gjashtëditor.

E pyetur nga NBC, nëse është më e vështirë të qeverisë Zelandën e Re, apo të marrë të bijën në një udhëtim me avion që zgjat 17 orë, Ardern u përgjigj me të qeshur: Janë pak a shumë njësoj.

Partneri i Ardern, një prezantues televiziv, është kujdestari kryesor i Neve dhe ka udhëtuar me kryeministren në Nju Jork për t’u kujdesur për foshnjën.

Javën e shkuar, në Zelandën e Re u miratua një ligj që lejonte kryeministren apo ministrat të udhëtonin me një dado në misionet jashtë vendit, e kjo do të mbulohej nga taksapaguesit. Por, Ardern tha se bileta e partnerit për në Nju Jork dhe shpenzimet e tjera do të paguhen prej saj, pasi ka vetëm pak angazhime në të cilat kërkohet prania e Gayford.

Ky i fundit ka postuar të hënën në “Twitter”, një foto me lejekalimin e foshnjës për në OKB, ku shkruhej:

“First baby…Do të doja të kisha filmuar momentin kur një delegacion japonez hyri në një dhomë takimesh në OKB, në momentin kur po ndërronim pelenën. Një histori e madhe kjo për ditëlindjen e saj të 21-të…”

Top Channel