Gjykata Shkodër vendos arrestimin e drejtorit të Hipotekës, akuzohet për korrupsion

25/09/2018 17:42

Në vazhdën e arrestimeve të ditëve të fundit për korrupsion në Hipotekën e Shkodrës, ditën e sotme policia ka ndaluar edhe drejtorin e saj, Zamir Leka, pas një urdhri të Prokurorisë.

Mësohet se Leka është shoqëruar nga policia ndërsa ndodhej në orarin e punës në zyrat e Hipotekës. Bashkë me të është arrestuar edhe një punonjës. Mësohet se drejtori akuzohet për korrupsion.

Po të martën Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Zamir Lekën.

Zamir Leka u emërua me 18 janar të këtij viti si drejtor i hipotekës dhe pas 8 muajsh në atë pozicion policia dhe prokuroria e arrestojnë.

Bashkë me të, sipas burimeve, është arrestuar edhe shtetasja Frida Mirashi, punonjëse e Hipotekës së Shkodrës, për të cilën Gjykata vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie.

Vetëm pak ditë më parë Prokuroria lëshoi urdhër ndalimi edhe për shtetasin Mirjam Bletaj, ish-jurist në hipotekën e Shkodrës gjatë viteve të fundit si dhe shtetasin Sokol Tirana që bashkë me shtetasin tjetër Johan Zefi dyshohen si sekserët që do i merrnin një mijë euro shtetasit Ndoc Taraj, ky i fundit pronar i një objekti që ishte i gatshëm të paguante para për të nxjerrë në mënyrë të përshpejtuar certifikatën e pronësisë.

Gjykata e Shkodrës i la në “arrest me burg” ish-juristin Mirjam Bletaj dhe dy sekserët e dyshuar Sokol Tirana dhe Johan Zefi, ndërsa dha masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasin Ndoc Taraj.

Para këtyre arrestimeve në hipotekën e Shkodrës që përfundojnë me ndalimin e drejtorit Zamir Leka, ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj paralajmëroi se shumë shpejt do të niste goditja e rasteve korruptive në hipoteka duke filluar kështu nga Shkodra.

  Korrupsioni në hipotekën e Shkodrës, “arrest me burg” për 4 të ndaluarit

Top Channel