Dështon sërish “Shullazi”, nuk u paraqit avokati i Blerim Shullazit. Seanca shtyhet më 2 tetor

25/09/2018 08:47

Emiliano Shullazi gjendej në paraburgim e ndoshta nuk ishte zgjuar ende, në kohën kur herët në mëngjes policia rrethoi Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe pse ai bashkë me të akuzuarit e tjerë i kishin njoftuar me deklaratë autoritetet se nuk do të ishin të pranishëm në gjykim, policia e kishte marrë seriozisht ruajtjen e godinës së qelqtë.

Gjykata është zgjuar nën masa të forta sigurie. Akset kryesore që lidhin gjykatën janë kontrolluar e po ashtu përveç forcave të policisë, ishin të pranishëm edhe agjentë krimesh.

Prania e shtuar e forcave speciale, madje edhe e një snajperisti, të shtyn të dyshosh se Policia e Shtetit me këto masa po i tregon muskujt Emiliano Shullazit. E po ashtu, këto masa mund të jenë edhe një mbështetje për prokurorinë, e cila është përçarë në një moment shumë të rëndësishëm, siç është pretenca ndaj njeriut që e akuzon për drejtues të një grupi të strukturuar kriminal.

Në kushtet kur të dyshuarit ishin në qeli dhe nuk kishte indicie se ata mund të arratiseshin gjatë transportimit në gjykatë, ose se dikush mund të kërcënonte të tjerë, Top Channel u interesua për shkaqet e planit të masave të ndërmarra për të dytën herë brenda shtatorit. Por, nuk u dha asnjë përgjigjje, përveç shpjegimit se e gjitha kjo është rutinë.

Dhe pas problemeve që kishte prokuroria për të gjetur prokuror për dosjen “Shullazi”, tashmë ky proces do të kthehet në një luftë nervash mes prokurorisë dhe avokatëve.

4 prokurorë, të cilët janë gjtihashtu edhe shefa në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, zbritën në sallë për të shpallur pretencën. Sërish dështuan. Siç u sëmur befas ish-prokurori i dosjes, Eneid Nakuçi, probleme me shëndetin pretendojnë se kanë edhe të pandehurit Blerim Shullazi e Endri Qyqa. Të dy ata kishin dorëzuar deklaratë ku pohonin mungesën për shkaqe shëndetësore. Madje, Blerim Shullazi kishte edhe avokatin me probleme të tilla.

Prokurorët, megjithëse të blinduar, kishin përballë një kafaz bosh dhe avokatët e 3 të pandehurve të tjerë, Emiliano Shullazi, Endri Zela dhe Gilmando Dani. Në këto kushte, gjykata e shtyu seancën për në datën 2 tetor dhe, siç duket në sipërfaqe, shahu mes palëve sapo ka nisur.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel