River Plate vendos ligjin në Superklasiken e kampionatit argjentinas me Boca Juniors.

Në stadiumin mitik “Bombonera”, River Plate iu imponua rivalëve historikë duke i mposhtur me rezultatin 2-0, në një ndeshje ku nuk kanë munguar tensionet, polemikat, por edhe golat spektakolarë. Edhe pse ishte një përballje që nuk pati shumë rëndësi për klasifikimin, duke qenë se ishte vetëm java e 6 e kampionatit, River Plate tregoi se kishte ardhur në këtë stadium për të fituar këtë përballje dhe ia arriti falë Martinez dhe Scocco, për ta çuar në 29 numrin e ndeshjeve radhazi me rezultate pozitive.

River Plate e mori avantazhin në këtë ndeshje në minutën e 15 me Martinez, me një goditje fluturimthi me të majtën. Pjesa e parë foli e gjitha për River Plate, që e dominoi Boca Juniorsin në të gjitha aspektet.

Në pjesën e dytë u pa një reagim i Boca Juniors, që pati mundësitë e saj për të shënuar, por ishte sërish River Plate që gjeti golin me Scocco, i aktivizuar në 45 minutat e dyta. Në këtë ndeshje nuk munguan momentet e diskutueshme siç ishte rasti i goditjes me bërryl i Cardonës ndaj lojtarit të River Plate, duke u ndëshkuar vetëm me karton të verdhë dhe dy penallti të pastra që iu mohuan Boca Juniorsit.

Top Channel