Nis Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, Veliaj: Teatri i ri është për njerëzit

24/09/2018 12:58

Skena e re “arTurbina” hapi dje dyert për të mirëpritur Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit, ku në datat 23-30 Shtator, do të ngjiten në skenë 14 trupa teatrale nga të gjitha trevat shqiptare. Në hapjen e Festivalit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se investimi për “arTurbinën” ka një rëndësi të veçantë për qytetin.

Ai nënvizoi se kryeqyteti do të ketë edhe një godinë të re për Teatrin Kombëtar dhe i ftoi të gjithë të lënë pas histerinë, për t’i hapur rrugë zhvillimit. Veliaj shprehu bindjen se ashtu si “arTurbina”, edhe godina e re e Teatrit Kombëtar do të ketë një njëjtin sukses.

“Ka ardhur koha që të jemi më pak të marrosur, më pak histerikë, më pak entuziastë për llaçin e tullën dhe më shumë të frymëzuar nga arsyeja e vërtetë se pse ne po i bëjmë këto ndërtesa. Bëhen për njerëzit, për t’u shijuar e përjetuar nga njerëzit, për të frymëzuar njerëzit. Me më pak shqetësim për llaçin, tullat, arkitektët e inxhinierët, për tallashin dhe gjithë vjetërsirat dhe me më shumë angazhim, të mund të financojmë teatro si ky që do shohim sot”, deklaroi Veliaj.

Falë një kalendari të detajuar, të ngjeshur me aktivitete nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, Tirana është kthyer në një qendër arti, duke arritur gjer në 700 evente në vit. “Në një kilometër katror hapësirë po ndodhin disa gjëra: një event në sheshin “Skënderbej”, një event tjetër tek Amfiteatri i Liqenit, një tjetër aktivitet filmash te Pazari i Ri e kështu me radhë; në qoftë se unë do të kisha një ëndërr për të vizatuar se ç’mund të ishte qyteti ynë, ai do të ishte i mbushur me aktivitete të tilla”, tha Veliaj.

Aktori i njohur Ndriçim Xhepa, i cili është edhe kryetar i jurisë së festivalit, e cilësoi organizimin e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove si një vlerë e padiskutueshme për qytetin dhe kërkoi që kjo ngjarje të kthehet në një traditë.

“Rifillimi i festivalit mbarëkombëtar të teatrove është një vlerë e padiskutueshme; për të kanë nevojë kryeqendrat tona, krijuesit, regjisorët, aktorët, skenografët, konstumografët, që të shohin, të përballen me njëri-tjetrin dhe pse jo, të përmirësohen me një konkurrencë pozitive”, theksoi Xhepa.

Ky festival e nisi rrugëtimin e tij një javor me komedinë shqiptare “TAG”. TAG” është një realizim tërësisht shqiptar, i prodhuar nga Bashkim Hoxha në bashkëpunim me Andia Xhungën si regjisore, Genc Shkodranin si skenograf, Berina Kokonën si kostumografe dhe Agim Krajkën dhe Sajmir Çilin si realizues të muzikës. Por, kjo nuk do të jetë shfaqja e vetme, pasi edhe 13 shfaqje të tjera nga trupa të të gjitha trojeve shqiptare do të jenë pjesë e këtij festivali të rëndësishëm kulturor.

Top Channel