Dëshmia për ngacmim seksual nga kandidati i Trump, Ford të enjten para Senatit

24/09/2018 20:20

Avokatët e gruas që akuzon për sulm seksual të emëruarin për anëtar i Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh, kur ata ishin adoleshentë në shkollë të mesme, thonë se ajo është e vendosur të dëshmojë para Komisionit Juridik të Senatit, të enjten.

Avokatët Debra Katz, Lisa Banks dhe Michael Bromwich bënë një deklaratë të dielën në emër të zonjës Christine Blasey Ford, pasi ishte arritur, siç u shprehën ata, një “përparim i rëndësishëm” në një telefonatë që patën me anëtarë të Komisionit të Senatit.

“Megjithë kërcënimet për sigurinë e saj dhe për jetën që ka patur, Dr. Ford beson se është e rëndësishme që senatorët ta dëgjojnë drejtpërdrejt të flasë për sulmin seksual që ishte kryer ndaj saj”, thuhej në deklaratë. Atje thuhej se zonja Ford ka rënë dakord të dëshmojë, pavarësisht faktit që Komisioni ka refuzuar të ftojë dëshmitarë të tjerë, “të cilët janë të nevojshëm për një seancë të drejtë dëgjimore”, thuhej në deklaratë.

Christine Blasey Ford, gruaja që e akuzon të emëruarin e Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, për sulm seksual, ka pranuar të dëshmojë përpara Senatit për këtë çështje këtë të enjte. Kreu i Komisionit Juridik të Senatit, republikani Chuck Grassley, të premten i dha më tepër kohë zonjës Ford, që ajo të merrte një vendim nëse do të dëshmonte para Senatit për këtë çështje.

Christine Blasey Ford, e ka akuzuar zotin Kavanaugh për sulm seksual, kur ata ishin të dy adoleshentë në vitet 1980. Kavanaugh i ka mohuar akuzat.

Top Channel