PD prezanton masat antimafia. Basha: Do të çlirojmë ekonominë nga korrupsioni dhe oligarkia

24/09/2018 11:26

Këtë të hënë, opozita i dha fund shtegtimit nëpër qytete duke u ndalur në Tiranë, ku prezantoi amendimin e ligjit antimafia, i cili parashikon mekanizma ligjorë dhe institucionalë për evidentimin, verifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të personave dhe zyrtarëve publikë, nga më i thjeshti e deri tek kryeministri, të cilët kanë lidhur kontrata, tendera dhe koncesione korruptive.

“Thelbi i propozimit tonë është që përmes ligjit dhe institucioneve të shtetit të së drejrës të garantojmë që gjithçka që i është marrë shqiptarëve, buxhetit të shtetit, pasuritë publike. T’iu merren atyre që i kanë përfituar me pa të drejtë dhe t’u kthehen qytetarëve. Njësoj si në krimin e organizuar do t’ju takojë atyre që janë bërë palë me këto afera korruptive të provojnë pafajësinë e tyre. E së dyti, pasuritë e përfituara në këtë mënyrë t’i nënshtrohen verifikimit e sekuestrimit”, deklaroi Basha.

Demokratët bënë publike emrat e rreth 20 personave që i cilëson oligarkë, duke u ndalur në fushën e shëndetësisë dhe atë të ndërtimit, ku abuzimi, sipas opozitës, është më i madh.

Deputetja Jorida Tabaku tha: “Duke filluar nga kontrata e parë e Check up, 120 milionë euro për kompaninë e Vilma Manushit. Iniciatorët, 178 milionë euro kompanisë së Klodian Zotos. Operimi i rrugës Milot-Morinë, i dhënë kompanisë Kastrati dhe Salillari 98 milionë euro nga Buxheti i shtetit. Ligji për prishjen e teatrit, “ligji Fusha” është më i freskëti për publikun”.

Po sa është fatura e abuzimeve me koncesionet dhe PPE-të? “2,2 miliardë euro”, shprehet Florion Mima.

Propozimi parashikon se verifikimi i abuzuesve do të bëhet përmes Drejtorisë Antikorrupsion. Prokuroria kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar SPAK do të kryejë hetimet, ndërsa vendimmarrja lihet në dorë të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në takimin e opozitës u vu re mungesa e Vangjel Dules, ndërsa PDIU përfaqësohej nga Mesila Doda.

Top Channel